Eurokomisioneri: Negociatat para samitit të Zagrebit, do flas me opozitën

AKTUALITET


Komisioneri për Zgjerim në Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi premtoi në Tiranë se po punon fort që negociatat mes Shqipërisë dhe BE të hapen para samitit të Zagrabit që do të mblidhet në maj, ndërsa tha se është gati metodologjia e re e zgjerimit të BE për të cilën po diskutohet me vendet skeptike si Franca e Holanda. Eurokomisioneri tha se Shqipëria është gati për çeljen e negociatave ndërsa njoftoi se BE do të akordojë një shumë prej 28 milionë eurosh për punën e mirë që është bërë në Shqipëri, por theksoi se të gjitha forcat politike duhet të punojnë për ecurinë përpara të procesit të integrimit europian. Varhelyi tha se për këtë çështje do të bisedojë edhe me liderët e opozitës në Shqipëri, ndërsa vlerësoi hapin e hedhur për realizimin e reformës zgjedhore.

“Kjo është ndalesa e dytë në udhëtimin tim të parë jashtë shteteve anëtare të BE-së dhe për mua ka qenë përparësi të vija shumë herët në mandatin tim për të përforcuar mbështetjen për Shqipërinë dhe për të theksuar natyrën gjeopolitike të komisionit të ri. Siç e dini për ne zgjerimi dhe Ballkani Perëndimor janë prioritet. Dëshirojmë ta rrisim praninë këtu dhe të kemi shumë influencë. Duam të jemi një partner edhe më i rëndësishëm për rajonin. Për këtë do të punoj fort me ju kryeministër që kjo të bëhet e mundur. Për ne raporti i KE vazhdon të jetë i vlefshëm. Vazhdojmë ta vlerësojmë Shqipërinë si e gatshme për hapjen e negociatave. Duam ta bëjmë para samitit të Zagrebit. Ka një metodologji të re për trajtimin e negociatave për anëtarësimin në BE.

Ne po punojmë me këto shtete që të gjejmë një zgjidhje që të krijojë një shans të ri për të ecur para me procesin e integrimit.

Katër parime bazë janë jo vetëm për vendet që aspirojnë por edhe ato anëtare. Procesi të jetë më i parashikueshëm dhe më dinamik. Ne po përpilojmë një propozim që do t’i marrë parasysh këto gjëra. Shtylla e dytë është që të kemi mundësinë të fillojmë negociatat me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut para Samitit të Zagrebit. Shtylla e tretë do të jetë vetë Samiti i Zagrebit ku shpresojmë se do të flasim për një plan ekonomik të zhvillimit të rajonit.

Sot kryeministri foli për një element të ri dhe është në fakt një domosdoshmëri absolute që jo vetëm të vazhdohet me reformat por pasi të çelen negociatat do të kërkohen dhe reforma më dinamike për rezultate më të mëdha. E kam mirëpritur angazhimin e Shqipërisë në lidhje me këtë çështje. Duhet që të gjitha partitë politike në Shqipëri të ndihmojnë për ta bërë këtë realitet. Unë do të flas dhe me opozitën sot në mënyrë që të na ndihmojë që këtë çështje ta bëjmë sukses. Unë mirëpres dhe përparimin që është bërë me reformën në drejtësi. Vettingu ka treguar vendosmërinë për të zbatuar këtë reformë. Mirëpres dhe marrëveshjen për reformën zgjedhore. Është një gur kilometrik i rëndësishëm”, tha eurokomisioneri për zgjerimin.

Ai njoftoi se Shqipëria do të përfitojë 28 milion euro shpërblim për punën që ka bërë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, ndërsa tha se më 17 shkurt do të zhvillohet konferenca e donatorëve që do të japë një kontribut financiar për dëmet e shkaktuara nga tërmeti në Shqipëri.

“Në lidhje me lavdërimet do të thosha që kam një lajm të mirë që dëshiroj ta ndaj me ju sot. Duke pasur parasysh punën e bërë nga Shqipëria, nga fondet e paraaderimit do të japim 28 milionë euro për punën e bërë. PE ka një proces të caktuar, një procedurë që duhet ta ndjekin por propozimin e kemi çuar dhe do përfundojë shumë shpejt.

Për tërmetin dhe konferencën e donatorëve: Më lejoni t’iu shpreh ngushëllimet për ata që kanë humbur të afërmit. Ne do të jemi në krahë të Shqipërisë për të ndihmuar. Në shkurt do të organizojmë konferencën e donatorëve. Në Bruksel Ursula Von Der Leyen do të jetë mikpritësja. Presim rezultate të mira nga kjo konferencë. Do të flasim me të gjitha institucionet ndërkombëtare financiare, me të gjitha shtetet që ato të japin kontributin e tyre. Po ashtu e kemi biseduar këtë gjë me kryeministrin edhe për një njoftimin që kemi bërë, që e ka thënë KE për 15 mln euro dhe më kanë thënë që ka filluar zbatimi i kësaj shifre për të ndihmuar qytetarët.

Ne do të shkojmë në Durrës në mënyrë të menjëhershme që dhe unë të kuptoj cilat janë pasojat e tërmetit. Do të vijoj takimet me Presidentin e Republikës por edhe opozitën. Do të flas me të gjithë politikanët e vendit”, deklaroi Varhelyi.



Skip to toolbar