Euroskeptiku Viktor Orban merr në dorë frenat e Bashkimit Evropian

BOTA


Pas Belgjikës, Hungaria merr në dorë “çelësat” e BE-së. Euroskeptiku Viktor Orban nga kjo e hënë dhe për gjashtë muaj e ardhshëm do të ketë presidencën e radhës të Këshillit të Europës dhe është zotuar për të qetësuar shqetësimet e Brukselit e të veprojë me “paanshmëri”.

Por, diversionet antidemokratike dhe lidhjet me Kremlinin, bëjnë që presidenca hungareze të shihet me shqetësim nga Parlamenti Evropian dhe shumë vende anëtare.


Në Budapest, qeveria po kërkon të qetësojë të shqetësuarit, duke thënë se është gati të marrë “detyrimet dhe përgjegjësitë” e misionit të saj, i cili zgjat deri në dhjetor. “Ne do të veprojmë si një ndërmjetës i paanshëm, me besnikëri të plotë ndaj të gjitha shteteve anëtare”, tha ministri hungarez i Çështjeve Evropiane János Bóka në mes të qershorit, duke paraqitur programin e vendit të tij.

“Në të njëjtën kohë”, shtoi ai – “Hungaria do të përfitojë nga qendra e vëmendjes për të promovuar vizionin e saj për Evropën”.

Për sundimin e ligjit, imigracionin dhe luftën në Ukrainë, Budapesti synon të nxjerrë në pah qëndrimet, të cilat e kanë parë atë të përplaset më shumë se një herë me Brukselin dhe partnerët europianë, duke i kushtuar edhe miliarda euro të ngrira nga fondet e BE-së.

Pas presidencës së fundit të Hungarisë në 2011, Orbán komentoi me kënaqësi duke thënë se kishte dhënë “shtytje miqësore, shuplaka dhe pranga për xhelatët entuziastë të Parlamentit Evropian, një fole liberalësh dhe majtistësh”, siç e përshkruan ai.

Këtë herë, kryeministri veteran 61-vjeçar është shfaqur edhe më luftarak, duke përbuzur elitën teknokrate të Brukselit dhe duke mbajtur një sërë vetosh muajt e fundit për të bllokuar ndihmën ushtarake për Kievin.

Ai kishte premtuar se do të “marrë Brukselin” pas zgjedhjeve evropiane, të cilat i cilësoi si historike, por megjithë ngritjen e ekstremit të djathtë më 9 qershor, ai nuk shënoi një fitore mbresëlënëse.

Viktor Orbán gjithashtu ka dështuar të ndikojë në përzgjedhjen e njerëzve për postet kyçe në BE, sepse pavarësisht kundërshtimit të tij, Ursula von der Leyen do të mbetet kryetare e Komisionit.

Deputetët e partisë së tij, Fidesz, janë ndër ata që nuk i janë bashkuar asnjë grupi në Parlamentin Europian, megjithatë, ajo vazhdon proceset me partitë e tjera të Evropës Qendrore. Orbán njoftoi dje, të dielën, nga Vjena, synimin e tij për të formuar Eurogrupin “Patriotët për Evropën” së bashku me Partinë nacionaliste Austriake të Lirisë (FPO) të Herbert Kickl dhe ANO-në populiste të ish-kryeministrit euroskeptik çek Andrej Babis.

Sakaq, presidenca e Hungarisë do të bazohet në shtatë prioritete, duke përfshirë forcimin e konkurrencës ekonomike të BE-së, trajtimin më të mirë të imigrimit të paligjshëm dhe përparimin e procesit të pranimit për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Orbán padyshim që do të përpiqet të ngrejë pengesa për disa çështje kyçe dhe të lehtësojë kufizimet në respektimin e sundimit të ligjit, në mënyrë që vendi i tij të marrë fonde evropiane, por hapësira e tij për manovrim është e kufizuar. Presidenca e radhës, e cila lejon një vend të kontrollojë axhendën e takimeve të 27 anëtarëve, i jep asaj fuqi të konsiderueshme, por jo absolute, sipas shumë diplomatëve.




Skip to toolbar