Facebook është gati t’i thotë lamtumirë parajsës fiskale irlandeze dhe të paguajë më shumë taksa në shumicën e vendeve ku operon.
Gjiganti i Mark Zuckerberg po mbyll tre zotërime në Irlandë, ku ka kanalizuar miliarda fitime, për të përfituar nga një regjim i subvencionuar, duke iu shmangur kështu një taksimi më të rëndë në SHBA dhe në pjesën tjetër të botës.
“Masa pasqyron ndryshimet e fundit dhe të afërta në legjislacionin tatimor, që qeveritë po zbatojnë në shtete të ndryshme”, shpjegoi kompania.
Kompanitë irlandeze janë përdorur për mbajtjen e pronës intelektuale të Facebook për shitje ndërkombëtare dhe për të mbledhur pagesa nga kompani të tjera të kompanisë në të gjithë botën.
Sipas “Times” dhe “The Guardian”, filiali kryesor irlandez i “Facebook” ka paguar vetëm 101 milionë dollarë taksa për fitimet prej 15 miliardë në 2018.
“Facebook International Holdings I Unlimited Company” postoi të ardhura prej 30 miliardë dollarësh në 2018, më shumë se gjysma e të ardhurave të përgjithshme globale të “Facebook” prej 56 miliardë dollarësh.
Vendimi për të mbyllur divizionet irlandeze dhe për të sjellë pronën intelektuale sërish në SHBA erdhi pasi Shërbimi i Brendshëm i të Ardhurave, agjencia qeveritare e SHBA-së përgjegjëse për mbledhjen e taksave, vendosi ta çojë “Facebook”-un në gjykatë me argumentin se rrjeti social duhet të paguajë më shumë se 9 miliardë dollarë në lidhje me transferimin e fitimeve të saj në Irlandë, në vitin 2010.