Gjykata e Tiranës ka pushuar hetimet për një tjetër dosje të bujshme, atë të hetimit të privatizimit të OSSH te kompania çeke, CEZ. I njëjti gjyqtar, që disa ditë më parë firmosi pushimin e hetimeve për lobimin rus në SHBA të Lulzim Bashës, pra Lazër Sallaku, firmosi pushimin e hetimeve edhe për dosjen “CEZ”. Sipas Gjykatës, privatizimi i OSSH nga çekë, s`ka vepër penale, raporton gazetarja e News 24 Klodiana Lala. Nga hetimet nuk janë gjetur elementë të veprës penale për ish-zyrtarët. Kujtojmë se dosja hetimore për privatizimin e OSSH te CEZ, ishte një nga dosjet më të bujshme të viteve të fundit.
Për të u ngrit edhe një komision hetimor parlamentar, ku u thirr për të dëshmuar dhe djali i ish-kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha për të sqaruar rolin e tij në lidhje me privatizimin e kësaj kompanie. Komisioni Hetimor arriti në përfundimin se shtetit shqiptar i ishin shkaktuar 414 milionë euro dëme. Hetimet për dosjen e CEZ u rihapën në vitin 2017, pas kërkesës së Komisionit Hetimor Parlamentar, ndërsa procesi zgjati për vite me radhë. Ndërkohë, për këtë dosje u thirrën në prokurori shumë persona për të dëshmuar, ku u përfshinë ish-ministra dhe persona të tjerë që dyshohet se kishin dijeni për privatizimin e OSSH te CEZ.
Hetimet ishin orientuar në tre drejtime në këtë dosje, ku përfshihej privatizimi i OSSH, që u cilësua abuziv dhe korruptiv nga socialistët, abuzimi me mbledhjen e borxheve të CEZ, që i kishte mbledhur kompania DIA e biznesmenit Kastriot Ismailaj dhe denoncimi i juristit Romeo Karaj që fliste për lidhjet mes CEZ dhe DIA-s. Por vendimi për të mbyllur përfundimisht hetimet për dosjen e CEZ, vjen rreth një muaj pasi Kuvendi i kërkoi zyrtarisht Gjykatës së Tiranës që të shpallte moskompetencën dhe dosja të kthehej për hetim te SPAK. Këtë kërkesë e bëri deputeti socialist Tulant Balla, njeriu që ngriti dhe akuzën disa vite më parë për privatizimin e OSSH. Por duket se gjyqtari Lazër Sallaku nuk ka qenë me të njëjtin mendim me Kuvendin, duke mbyllur hetimet për CEZ.