Familja e Arben Grorit, i dënuar për vrasjen e Naim Zybërit ka shpërthyer me akuza ndaj gjyqtarit në gjyqin ndaj tij, pasi ai i ka lënë vetëm katër ditë kohë avokatit për të njohur dosjen voluminoze.
Në këtë moment, familjarët e të dënuarit me burgim të përjetshëm kanë debatuar ashpër, duke i drejtuar gishtin gjykatësit se në këtë mënyrë po paragjykon çështjen. Madje, ata kanë shkuar edhe më tej, kur i kanë përmendur kryesuesit të trupës, faktin se “nuk mundet që me dosjen e djalit të tyre të kalojë vettingun”.
Pavarësisht situatës së krijuar, gjykata caktoi ditën e hënë për seancën e radhës. Arben Grori është dënuar me burgim të përjetshëm nga gjykata e Milanos për vrasjen e Naim Zyberit në një spital në Itali, krim që e kreu në bashkëpunim me Gert Gjeneralin (Gjinararin).
Gjykatat shqiptare bënë vite më parë njohjen e vendimit të huaj penal dhe Arben Grori prej dy dekadash mbahet i izoluar në burgjet e sigurisë së lartë. Pas lirimit të Gjeneralit, gjykata e Apelit vendosi të pranojë kërkesën e Grorit dhe t’i japë të drejtën për rishikimin e vendimit. Gjykata e Tiranës pritet të dalë me një vendim.