Familja e nënkomisarit Saimir Hoxha: Dhimbje e madhe që na e shkaktoi dora e zezë vrastare

AKTUALITET


Lot dhe dhimbje për të dashurin e tyre, efektivin e policisë Saimir Hoxha, që dje mbeti i vrarë gjatë një aksioni antikanabis.

Në emër të familjes së të ndjerit, Sulejman Sula pohoi se Saimirin e vrau dora e zezë vrastare.

Ai theksoi se 44-vjeçari, baba i dy djemve, ra si hero në luftën kundër krimit dhe kundër kriminelëve.

“Sot jemi mbledhur me dhimbje shumë të madhe në këtë ceremoni mortore, që na e shkaktoi dora e zeze vrastare, duke marrë birin e Pukës, Saimir Hoxhën. Ai lindi në një familje të shquar.

Në trungun e kësaj familje ka mbi 28 pjesëtarë me arsim të lartë. Kjo familje shquhet si vatër e dijes. Do ndalemi te Saimir Hoxha, i cili vjen nga një babë fisnik i shquar në fushën e topografisë dhe nga një nënë mësimdashëse dhe nga dy motra në fushën e jurisprudencës.

Saimiri mbaroi Akademinë e Forcave të Rendit dhe u diplomua dhe në Juridik. Shërbehu në disa rrethe dhe së fundmi në Lezhë. Kudo u dallua për ndershmëri. Krijoi familje nga një vajzë nga treva e Tropojës, duke lindur dy djem.

Prindërit i vunë emrin Saimir, i tillë ishte për familjen, për të afërmit dhe qytetarët që iu shërbeu me devocion. Dora e zezë ngriti dorën kundër shtetit. Ai ra si hero në luftën kundër krimit, kundër kriminelëve dhe forcave të errëta, por në kohën e demokracisë, duke mbetur një yll.

Gjej rastin që të falënderojë për mbështetjen qytetarët. Dua të gjej rastin që të falënderoj titullarët e shtetit tonë, dhe kryetarët e forcave partiake.

Për të nderuar kujtimin e dëshmorit Saimir Hoxha, ju ftojmë të mbajmë një minutë heshtje. U prehtë i qetë në dheun e kësaj toke të shenjtë.”, tha Sulejman Sula.



Skip to toolbar