I qetë por qartë me nervozizëm dhe revoltë jo veç kundrejt Gjykatës Speciale në Hagë, Nasim Haradinaj, nënkryetari i OVL-UÇK-së, ka shprehur shumëçka për atë çfarë po ndodh me Kosovën, popullin e saj dhe Luftën Çlirimtare.
Si rrallë ndonjëherë ndonjë lider apo ish-drejtues i UÇK-së i akuzuar nga Haga, ai deklaroi sërish kësaj here para gjykatës se nuk e njeh këtë institucion dhe se po punon me afat të skaduar. Deklarata e tij e fortë ka bërë xhiron në rrjet jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri pikërisht për mesazhin e tij shumë domethënës.
Haradinaj deklaroi se në Kosovë janë bërë 150 mijë nënshkrime që kundërshtojnë këtë gjykatë, por se këtë e bën deputetët e të cilët i quajti “faqezinj”.
“Nuk e kam njoh, këtë gjykatë. Nuk e njoh këtë gjykatë, tash jeni me afat të skaduar, nëse nuk më leni me bisedu unë nuk flas më. Kjo ka qenë gjithherë publike, keni 150 mijë nënshkrime nga popullata, që janë kundër kësaj gjykate.
Faqezinjtë tanë deputetë për postet e veta, rrogat e veta e kanë sjellë popullin këtu që ju sot me arrestu, me thy kushtetutën tonë, me ia vjedh qytetarin.
Jam padrejtësisht këtu, keni thyer çdo ligj, keni shkelur kushtetutën e vendin tim. Nëse për këtë për mendim të lirë dënohet, unë në moshën 15-vjeçare jam arrestuar nga regjimi i Milloshevicit, jemi arrestuar për të drejtën minimale për mendimin e lirë dhe më nuk do të bisedoj për të lexuar atë që kam shkruar”, deklaroi Nasim Haradinaj.
Hetuesit e Speciales e kanë arrestuar nënkryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj dhe kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së Hysni Gucati pasi Organizata e Veteranëve të Luftës mori disa dokumente të rrjedhura nga Gjykata Speciale. Gucati pati deklaruar në media se këto dokumente tregonin lidhje të Prokurorisë Speciale me Prokurorinë e Serbisë dhe pjesë të veçanta të tyre u bënë publike.