FSHB dënon ashpër dhunën ndaj arbitrit

AKTUALITET


Federata Shqiptare e Basketbollit ka reaguar ashpër për ngjarjen e ndodhur ditën e shtunë kur basketbollisti i Tiranës Bruno Deliu goditi me grushte arbitrin e ndeshjes Jurgen Muho. Dhuna e ushtruar nga 34-vjeçari i cili është arrestuar nga policia, sipas federatës është e pa pranueshme dhe bie ndesh me vlerat e sportit.

“Federata Shqiptare e Basketbollit dënon ashpër ngjarjen e shëmtuar të ndodhur të shtunën në mbrëmje në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala”, në takimin midis Teutës dhe Tiranës, e vlefshme për javën e 7-të të Superligës së Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj. Dhuna barbare e ushtruar nga njëri prej lojtarëve të Tiranës kundrejt njërit prej gjyqtarëve të takimit është krejtësisht e pa përligjur, e pa papranueshme dhe thellësisht e dënueshme”, tha FSHB.

Sipas saj, skena të tilla, që për më tepër u përcollën drejtpërdrejt në ekranet e shqiptarëve nuk janë asgjë të përbashkët me basketbollin dhe bien ndesh me të gjitha vlerat që përçon sporti. “Federata Shqiptare e Basketbollit i uron gjyqtarit Muho shërim sa më të shpejtë, ndërsa mbështet plotësisht veprimet e Policisë dhe autoriteteve të ligjit, në përputhje me legjislacionin përkatës”, deklaroi federata.

Federata Shqiptare e Basketbollit njofton opinionin publik se teksa po administrohet protokolli i ndeshjes dhe dëshmitë e ngjarjes, si dhe pamjet filmike ditën e hënë do të mblidhet Komisioni i Disiplinës në FSHB për të shqyrtuar dhe për vendosur mbi këtë ngjarje.



Skip to toolbar