Fillimi i aksionit opozitar për vjeshtën duket i vështirë për Bashën. Kjo vihet re, jo vetëm në qëndrimet e dyzuara të aleatëve të tij, të cilët duket se kanë mbetur pa orientim dhe që të enjten në mbrëmje kanë takuar kreun e PD, por edhe nga vetë Basha, i cili ende nuk ka një datë për protestën e radhës.
Në përfundim të takimit me aleatët, Basha është shprehur se protestat do të vazhdojnë, por ende nuk ka një datë të caktuar, ndërkohë që ka komentuar raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 30 qershorit, që duket se do të jetë teza e re e opozitës për protestat.
Të vegjlit e opozitës, të cilët një ditë më parë kërkuan protesta të fuqishme, kanë qenë të pranishëm në fjalën e Bashës para medias, por nuk kanë shtuar ndonjë koment mbi faktin që nuk ka ende asnjë datë për protestat e opozitës, ndërkohë që gjatë muajit gusht, ata deklaruan se do të hynin në zgjedhje edhe me Edi Ramën kryeministër, ndryshe nga sa kishte deklaruar Basha, i cili nuk njohu as dekretin e Metës për 13 tetorin. Këto divergjenca dhe rënia në akord me të vegjlit duket se kanë qenë pikërisht diskutimet që Basha në takimin e së enjtes dhe që prej aty të nisin lëvizjen për protestat. Por edhe orkestrimi i tyre mbetet një tjetër çështje për diskutim, pasi kreu i PD duket se ka mbetur pa ujë mes dy zjarreve, atë të aleatëve, të cilët kërkojnë protesta agresive dhe amerikanëve që i kanë vënë kufirin te thana me deklaratën e një nate para zgjedhjeve të 30 qershorit. Kjo duket edhe sikur i ka shtyrë ata për të vendosur një datë për protestat.
Një tjetër pengesë e Bashës për të nisur protestat e radhës duket se është edhe një vizitë e mundshme e zëvendëskryetarit të grupit parlamentar të CDU/CSU, Johann David Wadephul, i cili shihet nga opozita si shpëtimtar për zgjidhjen e krizës politike. Disa media raportojnë se ai mund të ketë një vizitë në Tiranë në mes të muajit shtator. Më maj, Wadephul pati deklaruar se në shtator, Bundestagu do të vendosë edhe për vendimin që do marrë Gjermania për negociatat e Shqipërisë, kështu që një marrëveshje mes palëve në Shqipëri, mund të jetë një kusht i CDU/CSU për të dhënë Ok mbi këtë vendim. Por, pas takimit me aleatët, Basha tha se opozita është gati të ofrojë një platformë kombëtare për daljen e vendit nga kriza. Kjo platformë sipas tij do të bëhet publike në javët e ardhshme.
Megjithatë, frikën për të arritur objektivat e veta, PD i ka shfaqur dukshëm edhe me deklaratën që bëri nënkryetari Paloka për zgjedhje në pranverë, duke treguar pasigurinë se Rama mund të hiqet nga pushteti në shtator, kur vetë opozita kishte paralajmëruar protesta që do ta rrëzonin atë, sidomos pas thirrjes për “fitore” që PD bëri pas zgjedhjeve të 30 qershorit, duke deklaruar se shumica e votuesve bojkotuan Ramën, duke mos dalë në zgjedhje.
Këto pikëpyetje dhe dakordësia me aleatët ia kanë bërë të vështirë vjeshtën opozitës për aksionin e saj, prej të cilit, të vetët presin një plan konkret, që të finalizohet me marrjen e pushtetit, por që ende nuk po gjen rrugën e duhur dhe kjo po çon pikërisht në atë që i ka paralajmëruar kundërshtari i tyre më i fortë politik, Zgjedhjet do të zhvillohen në vitin 2021. /Realstory.al