Fillojnë Lojërat Olimpike, mbahet sot në kryeqytetin e Francës ceremonia hapëse

Më të fundit


Le të fillojë festa.

Pritjes i erdhi fundi dhe pikërisht sot nisin zyrtarisht Lojrat Olimpike Paris 2024, ku edhe pse garat kanë filluar, ceremonia hapëse nis në 19:30.

Për herë të parë në histori, ky spektakël mbahet jashtë një stadiumi, me një paradë në qiell të hapur të 160 varkave në Lumin e Senës. Nga këto, 94 varka do të mbajnë atletët dhe do të lundrojnë 6 kilometra nga Lindja drejt Perëndimit, në zemër të Parisit.

Parada përfundon pranë Sheshit Trokadero, i famshëm për kopshtet e lulëzuara dhe monumentet e kulturës, në krahun tjetër të Kullës Eifel. Në këtë shesh do të mbahet pjesa tjetër e ceremonisë.

Për këtë ngjarje madhështore janë në dispozicion rreth 326 000 bileta. Natyrisht, një kulm do të jetë ndezja e pishtarit olimpik në kryeqytetin e Francës, ndonëse emri i njeriut fatlum që do ta realizojë ndezjen, është mbajtur sekret.

Në Lojrat Olimpike do të ketë një spektakël artistik, ku pritet të marrin pjesë Lady Gaga dhe Celine Dion, që është një këngëtare kanadeze franceze, dhe besohet se do të interpretojnë një version të një kënge të njohur të Edith Piaf, “La vie en rose”, në shqip “Jeta në ngjyrë trëndafili”.

Fshati Olimpik, ndërkaq, do të mbajë 10 714 sportistë të ndarë në 32 sporte dhe 329 gara gjithsej, ndërsa në Olimpiadë marrin pjesë 206 shtete.

Në këtë fshat janë 7 000 dhoma për atletët dhe stafin, dhe një zyrë poste Franca pritet të shpenzojë 9 miliardë euro për organzimin, ndërsa gjatë periudhës së garave do të shërbejnë 45 000 vullnetarë të rekrutuar jo vetëm nga vendi, por edhe nga e gjithë bota. /i.m /abcnews.al



Skip to toolbar