Financial Times: Shqipëria, xhevahiri ballkanik. Media prestigjioze artikull për turizmin

AKTUALITET


“Shqipëria, eksploroni atraksionet e xhevahirit ballkanik”.

Ky është kryetitulli i medias prestigjioze “Financial Times” që i kushtohet historisë, traditave, kulturës, gastronomisë dhe turizmit të vendit tonë.

“Peizazhet e egra të Shqipërisë u izoluan nga bota gjatë një epoke 46-vjeçare komuniste, kur ata që udhëtonin drejt Korfuzit mund të shihnin vetëm brigjet e saj të errëta dhe të habiteshin, shkruan Camilla Bell-Davies në një artikull për “The Financial Times”.

“Por kohët kanë ndryshuar, pasi Shqiperia është në vëmendjen e personaliteteve mbarëbotërore. Aktori amerikan, Leonardo DiCaprio tani është një avokat për ruajtjen e natyrës së Shqipërisë dhe një investim thelbësor nga kompania amerikane “Patagonia” ka nisur për mbrojtjen e Vjosës, lumi i fundit i egër i Evropës” – shkruan media prestigjioze.

Më tej, në artikull shkruhet se vija bregdetare e Adriatikut të Shqipërisë ishte një atraksion kryesor këtë verë pasi vizitorë të shumtë erdhën në kërkim të pikave të pazbuluara dhe çmimeve të përballueshme. Megjithatë, përballë këtij bumi të pashmangshëm të vizitorëve, shumë pyesin se si ruhet nje destinacion i egër që tërhoqi një numër në rritje turistësh.

Për të zbuluar më shumë, drejtohuni thellë në brendësi të Shqipërisë, ku fermerët e kthyer në pronarë bujtinash po ofrojnë një formë turizmi të ngadaltë rural që ruan traditat dhe mikpritjen shpirtërore të Shqipërisë, të ngjashme me fermat e agroturizmit në Itali, shkruan media britanike.

Në veri dallohen Bjeshkët e Nemuna, një emër i parezistueshëm për aventurierët. Kullat e errëta shkëmbore dhe luginat e thella të lumenjve u siguronin mbrojtje klaneve vendase të Malësisë që organizoheshin në bazë të një kodi të lashtë, “Kanunit të Lekë Dukagjinit”.

“Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”, kumbon gjithandej në agroturizmin e drejtuar nga familjet në luginën e Valbonës. Të aksesueshme përgjatë shtegut të Majave të Ballkanit, një udhëtim epik i një alpinisti bazuar në shtigjet e vjetra të barinjve, këto bujtina mbeten kryesisht të palidhura me rrugë.

Udhëtimet mes tyre, 5 deri në 8 orë në ditë, ofrojnë pamje të mrekullueshme malore dhe lumin e kristalte të Valbonës poshtë, theksohet ne artikullin e “Financial Times”.

Në luginën e Valbonës mund të shëtitni përgjatë lumit me varkë përmes kanioneve marramendëse. Banorët e kësaj zone, për breza me radhë u kanë shërbyer udhëtarëve ushqim dhe verë të mirë dhe i kanë përcjellë me traget përtej liqenit, duke nderuar gjithmonë Kanunin.

Artikulli i “Financial Times” ndalet edhe tek ushqimet bio, i cili shijohet nën dritën e qirinjve në sofra, ku serviret peshk i pjekur në zjarr, supë me hithra, bukë misri dhe djathë deleje me shumë kripë, të shoqëruara me perime turshi, kos, fruta dhe mjaltë, shije vërtete unike për t’u mos humbur.

Artikulli i “Financial Times” për Shqipërinë mbyllet me agroturizmin në Lezhë duke u ndalur tek Mrizi i Zanave: Ku një shtëpi ferme e rrënuar në majë të kodrës u shndërrua në një restorant dhe fermë me dhoma prej guri dhe xhami unike.

E padyshim ushqimet janë 100% bio të zonës të cilat serviren nga një staf i mrekullueshëm. Ambientet e brendshme të kujtojnë shtëpizat malore zvicerane, me qilima lëkure deleje dhe aromat e lisit dhe sherebelës, përfundon media prestigjioze britanike “Financial Times”.



Skip to toolbar