Hetimi për financimin rus të Partisë Demokratike ka përplasur në Real Story në një debat të ashpër deputetin e mazhorancës Ervin Bushati me ish deputetin Fatmir Mediu, ku kreu Partisë Republikane i ka cilësuar përralla hetimet ndaj kreut të opozitës, Lulzim Basha.
Duke folur mbi rezolutën e dorëzuar në Kuvend nga Taulant Balla, Fatmir Mediu u shpreh se maxhoranca po dërgon në parlament një projekt-rezolutë të hartuar nga PS, që ka qëllime të pastra politike. Ndërsa, Bushati nënvizoi se influenca ruse ka kudo, edhe në Ballkan, edhe në Shqipëri e se kjo nuk mund të mohohet. Por pikërisht në këtë pikë ka ndërhyrë Mediu, duke akuzuar Bushatin se po e çon debatin drejt çështjes së PD. “Të thuash se PD qenka financuar nga rusët, është naive. Kjo është rezolutë politike”, tha Mediu. Por Bushati ka ndërhyrë, duke deklaruar se edhe në SHBA ka ndikim rus. “Ore dhe në Amerikë ka ndikim rus. Pse këtu mos të ketë ndikim të Rusisë?”, iu drejtua Bushati Mediut, i cili iu kundërpërgjigj me akuza marrëdhëniet e Ramës me Erdogan. “E quan ndikim ti që presidenti turk Erdogan që thotë Rama kështu e ashtu. Nuk po flasim për hartim, por për parlament. Unë iu pyeta pse doni ta bëni këtë rezolutë?”, tha Mediu. “Po ka informacion për ndërhyrje ruse, influenca ruse. Nuk mund të jemi imun ndaj virusit rus, ai kur e hedh, e hedh për gjithë Ballkanin”, u kundërpërgjigj Bushati. Pikërisht në këtë pikë, Mediu tha se kjo rezolutë po degjeneron në interes politik, për një çështje të caktuar që dihet se nuk është e vërtetë. Por Bushati i kujtoi gjyqin në SHBA ndaj ndikimit rus. “Cili gjyq? Nuk ka gjyq në Amerikë”, reagoi Mediu, por që Bushati deklaroi “Të presim vendimin e gjykatës dhe pastaj le të diskutojmë mbi këto çështje”.