Udhëheqësit e Estonisë dhe Finlandës duan që vendet evropiane të ndalojnë lëshimin e vizave turistike për qytetarët rusë, duke thënë se ata nuk duhet të jenë në gjendje të bëjnë pushime në Evropë, derisa Rusia po bën luftë në Ukrainë.
Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas u shpreh se të vizitosh Evropën është një privilegj dhe se tani është koha për t’i dhënë fund turizmit nga Rusia.
Një ditë më parë, homologia e saj në Finlandë, Sanna Marin deklaroi për transmetuesin finlandez YLE se nuk është e drejtë që në kohën kur Rusia po zhvillon një luftë agresive dhe brutale në Evropë, rusët të mund të jetojnë një jetë normale.
Estonia dhe Finlanda kufizohen me Rusinë dhe janë anëtarë të Bashkimit Evropian, që ndaloi udhëtimin ajror nga Rusia, pasi pushtoi Ukrainën.
Por rusët ende mund të udhëtojnë në rrugë tokësore në të dy vendet dhe më pas të fluturojnë për në destinacione të tjera evropiane.