Firma, hotel, vilë dhe miliona euro: Pasuria e Millan Radoiçiqit në Serbi

KOSOVA


Pesë kompani, ambiente biznesi, një hotel në Kopaonik, një vilë në një pjesë elitare të Beogradit – e gjithë kjo në Serbi është në pronësi zyrtare të Millan Radoiçiqit, sipas hulumtimit të Radios Evropa e Lirë.

Radoiçiq, i cili publikisht mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, e ndan pronësinë e asaj prone me biznesmenin Zvonko Vesellinoviq nga veriu i Kosovës dhe vëllain e tij Zharkon.

Kompanitë që operojnë nga ta fituan mbi 24.5 milionë euro vetëm në vitin 2022, sipas raporteve financiare të analizuara nga REL.

Janë lidhur kontrata të vlefshme me shtetin- me qytetet në Serbi dhe ndërmarrje të ndryshme publike.

Vetëm tri ditë pas sulmit të armatosur në veri të Kosovës, kompania e tyre mori përsipër edhe ndërtimin e një ure në afërsi të Kralevës, në vlerë të rreth një milion euro.

Qeveria e Serbisë dhe ministria kompetente deri në publikimin e tekstit nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it se mbi çfarë baze kompanitë e Radoiçiqit dhe vëllezërve Vesellinoviq fituan tenderët.

Nuk ka përgjigje as në pyetjen nëse ndërpritet bashkëpunimi me shtetin pasi Radoiçiqi u identifikua si organizator i sulmit në Banjska.

Kompanitë në pronësi të Vesellinoviqit dhe Radoiçiqit nuk iu përgjigjën pyetjeve në lidhje me operacionet dhe asetet.

Edhe para sulmit ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator, i cili u cilësua si akt terrorist në Prishtinë, autoritetet kosovare e lidhën Millan Radoiçiqin me aktivitete kriminale.

Për krimin në Kosovë ndërlidhet edhe Zvonko Vesellinoviqi.

Por Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, nuk i njeh as akuzat e autoriteteve të Kosovës.

Sulmi në Banjskë nuk trajtohet si terrorizëm dhe Radoiçiqi nuk akuzohet për vrasjen e policit Afrim Bunjaku në procedurë para Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd.

Ndër krimet e dyshuara janë shkaktimi i rrezikut publik dhe mbajtja pa leje e armëve.

Beogradi zyrtar ka vendosur edhe të mos i zbatojë sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe ndaj Radoiçiqit dhe Vesellinoviqit, sepse për këtë nuk ka detyrime ndërkombëtare.

Ata u futën në listën e zezë të SHBA në dhjetor 2021 për shkak të dyshimeve për krim të organizuar dhe korrupsion.

Asetet e kompanisë janë gati 40 milionë euro

Millan Radoiçiq, së bashku me Zvonkon dhe Zharko Vesellinoviqin, zyrtarisht është regjistruar me emrin e tij si pronar i një kompanie – “Inkop” nga Quprija në Serbinë qendrore.

“Inkop” si kompani amë, zotëron edhe katër kompani tjera që zhvillojnë aktiviteteve të ndryshme – nga ndërtimi, menaxhimi i hoteleve, deri te trafiku.

Pasuritë e paluajtshme dhe pajisjet e këtyre pesë kompanive kapin vlerën e së paku 38 milionë eurove, sipas raporteve financiare për vitin 2022, të disponueshme në faqen e internetit të Agjencisë për Regjistrat e Bizneseve të Serbisë (APR).

Ndërtimi i rrugëve është biznesi më fitimprurës

Ndër kompanitë e Radoiçiqit dhe vëllezërve Vesellinoviq, më fitimprurësja është “Inkop”, makineritë e së cilës ndërtuan rrugë në disa lokacione në Serbi.
“Inkop” fitoi rreth 17.4 milionë euro në vitin 2022.

Në atë kompani, Millan Radoiçiq dhe Zvonko Vesellinoviq kanë secili nga 40 për qind, ndërsa Zharko Vesellinoviq ka 20 për qind.

Sipas raporteve financiare të analizuara nga REL-i, pasuritë e paluajtshme dhe pajisjet e “Inkop”-it vitin e kaluar kapin vlerën e rreth 10 milionë eurove.

Ajo kompani së bashku me pronarët e saj është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Por, meqenëse nuk janë të detyrueshme për Serbinë, “Inkop” funksionon pa pengesa.

Ndër projektet e hulumtuara më parë nga REL-i, dallohet ndërtimi i rrugës nga Pozharevaci në Golupec në lindje të Serbisë.

Aty, në shkurt të vitit 2022, shteti dha pëlqimin që kompania “Inkop” të ishte një nga nënkontraktorët e kompanisë kineze “Shandong”, për të cilën REL ka shkruar më parë.

Punimet ende janë duke vazhduar

Vila me pishinë pranë stadiumit të Zvezdës

Muret e larta, kamerat dhe rojet e sigurisë fshehin një vilë prej gati 500 metrash katrorë në një zonë elitare të Beogradit nga sytë e publikut.

Një vilë me pishinë dhe një truall me 15 ari pranë stadiumit të futbollit Cërvena Zvezda janë në pronësi të kompanisë “Inkop”.

Çmimi mesatar për metër katror për shtëpitë në atë komunë të Beogradit është rreth katër mijë euro, bazuar në të dhënat e Agjencisë për patundshmëri për vitin 2023.

Kjo do të thotë se vila në pronësi të Radoiçiqit dhe vëllezërve Vesellinoviq do të kushtonte së paku dy milionë euro në treg.

Kontratë me shtetin pas sulmit në Banjskë

Tri ditë pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, kompania “Novi Pazar-put”, pronarët përfundimtarë të së cilës janë Millan Radoiçiq dhe vëllezërit Vesellinoviq, kanë marrë një punë nga shteti.

Kompania publike “Putevi Srbije”(Rrugët e Serbisë) më 27 shtator ia besoi asaj ndërmarrjeje ndërtimin e urës në Adrane afër Kralevës, me vlerë rreth një milion euro.

REL-i pyeti kompaninë publike “Putevi Srbije”pse ia besoi punën kompanisë “Novi Pazar-put” dhe nëse vendimi është rishqyrtuar pas sulmit të armatosur në Banjskë të organizuar nga Radoiçiqi. Ata u përgjigjën se Ligji për Prokurimin Publik “nuk parasheh rishikimin e vendimit për dhënie të kontratës” në atë rast.

Ata shprehen gjithashtu se “nuk ka rëndësi se kush është pronari i kompanisë që merr pjesë në prokurimet publike”.

“Novi Pazar-put” është në pronësi të “Inkop”-it, gjegjësisht Radoiçiqit dhe Vesellinoviqit, që nga janari i vitit 2020.

Edhe ajo kompani është nën sanksionet amerikane porse merr kontrata nga shteti i Serbisë.

Selia qendrore e kompanisë "Novi Pazar-put", në pronësi të Zvonko Vesellinoviqit dhe Milan Radoiçiqit.
Selia qendrore e kompanisë “Novi Pazar-put”, në pronësi të Zvonko Vesellinoviqit dhe Milan Radoiçiqit.

Ajo mori kontrata për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve në disa qytete dhe komuna në Serbinë jugperëndimore.

Vitin e kaluar, në vitin 2022, fitimet e kompanisë ishin rreth 6.5 milionë euro.

Pasuria e saj kap vlerën e 10.6 milionë eurove.

Sipas dokumenteve të analizuara më parë nga REL-i, “Novi Pazar-put” u shfaq edhe si nënkontraktues për punimet në autostradën e shpejtë nga Iverk në Llajkovac në Serbinë qendrore, e cila po ndërtohet nga Shandong e Kinës.

Hoteli luksoz në Kopaonik funksionon pa licencë

Në qendër të Kopaonikut, resortit më të madh të skiimit në Serbi, në fund të një prej pistave, tërheq vëmendjen logoja e një ujku të zi në një prej hoteleve.

Hoteli në fjalë është “Grey”, i cilësuar në faqen e internetit si “i pajisur në mënyrë luksoze, me pesë yje”, me dhjetëra dhoma dhe suita, një pishinë, një qendër SPA dhe një restorant.

Pronar i objektit dhe parcelës me 25 ari është kompania “DollyBell” me seli në Beograd – e cila po ashtu ka për kompani amë “Inkop”-in.

Kjo do të thotë se pronarët e vërtetë të hotelit janë Millan Radoiçiq dhe vëllezërit Vesellinoviq.

Kompania që menaxhon hotelin në Kopaonik, sipas raporteve financiare për vitin 2022, ka asete me vlerë rreth 16 milionë euro – në pasuri të paluajtshme dhe pajisje.

Raporti tregon, gjithashtu, se kompania ka raportuar një humbje prej rreth 700 mijë eurosh vitin e kaluar.

Në fotot e hotel “Grey” shihet se ndërtesa është e lartë disa kate dhe se ka pasur mbindërtime.

Lokali "Grey" në Mitrovicë të Veriut.
Lokali “Grey” në Mitrovicë të Veriut.

Mirëpo, kadastra nuk i njeh sipërfaqet katrore të hotelit.

Domethënë, në të dhënat kadastrale të disponueshme publikisht, thuhet se sipërfaqja e objektit “nuk është e regjistruar”, dhe se nuk ka leje për shfrytëzim.

Sipas ligjit, hoteli nuk do të mund të funksiononte pa një leje përdorimi.

Megjithatë, hoteli funksionon që nga janari 2016, sipas raporteve të mediave nga hapja zyrtare, si dhe fotove nga profili i hotelit në Instagram.

As kompania “DollyBell”, as Ministria e Ndërtimit, deri në publikimin e tekstit, nuk janë përgjigjur për REL-in se si funksionon hoteli pa leje përdorimi.

Hoteli ka edhe një tarracë, e cila sipas fotografive dhe pamjeve satelitore të analizuara nga Radio Evropa e Lirë, ndodhet në tokë shtetërore.

Nga raportet financiare të kompanisë që drejton hotelin, REL-i nuk ka mundur të përcaktojë nëse e paguajnë qiranë shtetërore për tokën për tarracën e hotelit dhe sa.

As nga “DollyBell” nuk i janë përgjigjur as asaj pyetjeje dhe as si reagojnë ndaj akuzave të autoriteteve kosovare për qëndrimin në hotel të grupit të armatosur të organizuar nga Radoiçiqi.

Kosova pretendon se sulmuesit nga Banjska ishin në hotelin e Radoiçiqit

Autoritetet e Kosovës pohojnë se Radoiçiqi dhe një grup i armatosur kanë shfrytëzuar hotelin “Grey” para sulmit në Banjskë dhe si dëshmi të këtij pretendimi kanë publikuar pamjet nga një dron, i cili dyshohet se është sekuestruar në një operacion policor.

Në atë kohë, Kosova publikoi gjithashtu pretendime se Radoiçiqi përdorte objektet e Ushtrisë Serbe për trajnimin e sulmuesve, të cilat autoritetet në Beograd i mohuan.



Skip to toolbar