Të arrestuarit e fisit Çapja, që u vunë në pranga gjatë operacionit policor “KRASTA”, të zhvilluar në mes korrikun e këtij viti u përballën të mërkurën me nisjen e procesit gjyqësor në Gjykatën e Elbasanit, por seanca është shtyrë për shkak se prokurori nuk kishte vënë në dispozicion materialet e kërkuara nga mbrojtja.
Ndaj tyre kanë nisur hetimet prej kohësh, por mundën të përfundojnë vetëm në korrik, kur dhe disa prej “të fortëve” të Elbasanit u arrestuan. Aktiviteti kriminal i tyre, i përfshirë tashmë në një dosje me disa fashikuj nis me procedimin penal numër 40 të vitit 2006 për veprat penale të vrasjes dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake. Konkretisht, Florenc Çapja po gjykohet në Elbasan për vrasjen e mbetur në tentativë të ish-oficerit të policisë, Fadil Mema, në vitin 2006 në Elbasan, i cili u vra në vitin 2015 në Itali, ku ishte larguar prej disa vitesh. Por seanca për ta është shtyrë për në 20 shtator.
Vetë Florenc Çapja nuk ishte i pranishëm në seancë, ndërsa avokati i tij ka kërkuar shtyrjen e seancës, pasi prokurori i çështjes nuk i kishte vendosur në dispozicion të dhënat që kishte kërkuar mbi hetimin. Avokati kërkoi gjithashtu një masë më të lehtë sigurie për klientin e tij, qoftë detyrim paraqitje apo garanci pasurore. Ndaj të arrestuarit janë ngritur akuzat për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese, kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë” dhe “prodhim e mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
Nga përgjimet dhe hetimet një vjeçare që u pasuan me operacionin policor ”Krasta” në Elbasan rezulton përfshirja e 38-vjeçarit Çapja në tentativën e vrasjes së ish-oficerit të policisë, Fadil Mema, në vitin 2006 në Elbasan, atentat që e detyroi Memën të emigronte në Itali bashkë me familjen ku dhe u vra në vitin 2015.
Florenc Çapja, 38 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan lagjia “Emin Matraxhiu”, S. Çapja 31 vjeç dhe Enver Çapja, 30 vjeç akuzohen edhe për vepra të tjera penale, por drejtësia i ka ndarë dosjet dhe në Elbasan gjykohen vetëm për një vrasje dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa në një tjetër dosje konsiderohen si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal dhe hetohen dhe gjykohen nga Krimet e Rënda.