Fjalimi nazist i Orban kundër përzierjes me popuj jo evropianë, dorëhiqet aleatja e kryeministrit hungarez

BOTA


Zsuzsa Hegedus, pjesëtare e rrethit të ngushtë të kryeministrit hungarez, Viktor Orban, ka dhënë dorëheqje pasi ai është pozicionuar kundër “popujve me racë të përzier”.

Hegedus, e cila e ka njohur nacionalistin Orban për 20 vjet, e ka përshkruar fjalimin si “tekst të pastër nazist”, sipas mediave hungareze.

Komiteti Ndërkombëtar i Auschwitzit për të mbijetuarit e Holokaustit, e ka konsideruar fjalimin si “të rrezikshëm”.

Zëdhënësi i Orbanit ka thënë se mediat kanë keqinterpretuar komentet.

Orban ka mbajtur fjalimin të shtunën në një rajon të Rumanisë, që ka komunitet të madh hungarez.

Ai ka thënë se popujt evropianë duhet të jenë të lirë që të bashkohen me njëri-tjetrin, mirëpo përzierja me joevropianët krijon “një botë me raca të përziera”.

“Ne kemi vullnet të përzihemi me njëri-tjetrin, mirëpo nuk duam të bëhemi popuj të racave të përziera”, ka thënë ai.

Qëndrimet e Orbanit kundër migrimit tashmë janë të ditura, mirëpo për Hegedus fjalimi i së shtunës ka kaluar kufirin.

Orban ka folur edhe për luftën në Ukrainë, duke thënë se mbështetja e Perëndimit për këtë shtet ka dështuar, sanksionet kundër Rusisë nuk janë duke funksionuar dhe se një marrëveshje për paqe duhet të jetë prioritet.

Pavarësisht se pranon fonde të mëdha evropiane, Qeveria hungareze e Orbanit përplaset shpesh me Bashkimin Evropian për çështje që lidhen me sundimin e ligjit, sikurse migrimi dhe të drejtat e mediave.



Skip to toolbar