Në orët e para të mëngjesit të 28 nëntorit, Festës së Pavarësisë, një zjarrfikës i ndodhur me shërbim të Thumanë ka nxjerrë nga rrënojat një flamur kombëtar, mesa duket i ndonjë familjeje që i është bashkuar nismës “Flamur në çdo ballkon për festat e nëntorit”.
Në ditën e Flamurit, zjarrfikësi e nxjerr flamurin kuq e zi nga rrënojat, e ngre lart dhe e puth duke i emocionuar të gjithë.
Gjestin e tij, e ka postuar në “Facebook” ministri Sandër Lleshaj, që shkruan se: 28 Nëntori i sivjetshëm na gjen të goditur fort, por jo të thyer.
“Ky flamur, që u gjet pak minuta para mesnatës së mbrëmshme, shumë pranë viktimave të fundit të nxjerra nga gërmadhat në Thumanë, sikur i ndriçoi sytë dhe zemrat e heronjve shqiptarë, që edhe me thonj kanë gërmuar pa pushim për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej”, shkruan Lleshaj.
“Ishte ky flamur, i nxjerrë nga rrënojat, që për pak çaste e largoi dhimbjen e përzishme dhe ktheu dritën e shpresës. Le të jetë ky flamur, lutja jonë për shpirtrat e atyre që e lanë pas, si simbolin më të lartë që bën bashkë shqiptarët kudo që janë dhe mesazhi ynë për nderimin e Festës sonë kombëtare. Rroftë Shqipëria!”, përfundon statusin e tij shoqëruar me foton përkatëse ministri Sandër Lleshaj.