FMN: Pezullimi i marrëveshjes së grurit ukrainas mund të rrisë me 10 -15 % çmimet e grurit

BOTA


Fondi Monetar Ndërkombëtar tha të martën se dalja e Rusisë nga marrëveshja që lejonte eksportet e grurit nga Ukraina përmes Detit të Zi mund të rrisë çmimet globale të grurit me 10-15%. FMN-ja tha se po vazhdon të vlerësojë pasojat e këtij veprimi.

Kryeekonomisti i FMN-së Pierre-Olivier Gourinchas u tha gazetarëve se marrëveshja për eksportin e drithit përmes Detit të Zi ka qenë “shumë e rëndësishme” për sigurimin e furnizimeve të bollshme me drithëra, që mund të eksportoheshin nga Ukraina, duke lehtësuar trysninë për rritjen e çmimeve të ushqimeve. Pezullimi i marrëveshjes ka të ngjarë të nxisë trysninë për rritjen të çmimit të artikujve ushqimorë, tha ai.

“Ne jemi ende duke vlerësuar gjendjen, por një rritje prej 10 deri në 15 për qind e çmimit të drithërave është një vlerësim i arsyeshëm”, tha ai.

Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikoi të martën se inflacioni global do të ulet në 6.8% në 2023 nga 8.7% që ishte në 2022. Në vitin 2024 inflacion pritet të ulet në 4.7%.

FMN-ja javën e kaluar tha se tërheqja e Rusisë nga marrëveshja për eksportin e grurit ukrainas, e cila u ndërmjetësua nga Turqia dhe OKB-ja korrikun e kaluar, do të godiste rajonet që mbështeten shumë tek dërgesat me drithëra nga Ukraina, duke përfshirë Afrikën e Veriut, Lindjen e Mesme dhe Azinë Jugore.

Marrëveshja e lejoi Ukrainën të eksportonte rreth 33 tonë grurë përmes Detit të Zi dhe ishte një faktor i rëndësishëm për sigurinë ushqimit në nivel botëror.

Bashkimi Evropian tha të martën se ishte gati të eksportonte pothuajse të gjithë prodhimin e fermave të Ukrainës nëpërmjet “rrugëve të solidaritetit”, lidhjet e transportit hekurudhor dhe rrugor përmes vendeve anëtare të BE-së që kufizohen me Ukrainën.

Rreth 60% e eksporteve të Ukrainës janë realizuar përmes të ashtuquajturave rrugë solidariteti dhe 40% kalonin përmes Detit të Zi, ndërsa marrëveshja e grurit, e mbështetur nga OKB-ja, ishte në fuqi.



Skip to toolbar