Shpallja e rezultateve të 30 qershorit u pasua dhe me shpërndarjen e fondeve për partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje, ku Partia Socialiste i ka shtuar fitores së vet edhe një vlerë të majme parash nga buxheti i shtetit, që i janë dhënë nga KQZ.
Një nga vendimet e marra nga KQZ ishte edhe shpërndarja e fondeve të partive politike të regjistruara si subjekte zgjedhore në zgjedhjet vendore të datës 30 qershor 2019. KQZ vendosi të miratojë listën e partive politike që përfitojnë fonde sipas rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve dhe listën e partive politike që duhet të kthejnë fonde sipas rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, të datës 30 qershor 2019.
Në votimet e 30 qershorit ishin parashikuar të shpërndaheshin 65 milionë lekë nga buxheti i shtetit, ndërsa nga përllogaritja finale rezulton se një votë e vlefshme është vlerësuar me 88 lekë.
Në bazë të kësaj përllogaritje, sipas KQZ, nga 44 subjekte, 27 prej tyre do të duhet të kthejnë paratë e përftuara paraprakisht, pasi në 30 qershor kanë marrë më pak vota se 4 vite më parë.
Fryma e Re Demokratike me kryetar Bamir Topin është partia që do të kthejë më shumë para, rreth 2.2 milionë lekë. Pas saj renditet Balli Kombëtar, Bashkimi Liberal Demokrat dhe Partia ORA e Shqipërisë, që do të kthejnë secila nga më shumë se 1 milion lekë të reja. Sa i përket kthimit të parave, afati kohor për kthimin e fondeve nga partitë politike, do të bëhet brenda 90 ditëve nga shpallja e vendimit të KQZ.
Partia Socialiste do të marrë pjesën më të madhe të parave, kjo për shkak të faktit se garoi e vetme ndër partitë e mëdha. Ky subjekt politik do të marrë më shumë para se ç’ishte parashikuar, rreth 9 milionë lekë të reja. Edhe partia më e re, Bindja Demokratike, duket se do të marrë shpërblimin e parë pas zgjedhjeve të 30 qershorit. Bindja do të përftojë nga buxheti i shtetit 1.8 milionë lekë të reja.