Ky është Dritëro Azemi, kosovari i shpallur në kërkim nga Trafiqet e Tiranës, i konsideruar si një nga kokat e grupit kriminal që u godit para pak ditësh ku u sekuestruan 203 kallepë tritoli me peshë 46 kg në total.
Azemi është një emër i njohur për drejtësinë. Konkretisht më datë 7 prill të vitit 2022 plagosi me armë zjarri në një lokal nate në periferi të Tiranës Shpëtim Metalian.
Në lidhje me këtë ngjarje ai u akuzua për plagosje e rëndë me dashje, prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve. Ndërkohë tashmë ai është në sërish në kërkim për trafik ndërkombëtar të armëve dhe eksplozivëve.
Flaka Abdullahu është 25-vjeçarja gjithashtu nga Kosova e shpallur në kërkim si pjesë e këtij grupi.
Emrat e tyre dolën në pah pas dëshmisë së 3 të arrestuarve Rigon Maliqi, Lion Pira dhe Shkëlqim Halabaku ku pranuan dhe zbërthyen me detaje në dëshminë e tyre mënyrën sesi kishin arritur që të fusnin në territorin e Shqipërisë 203 kallepët e tritolit, të ndara në dy valixhe dhe të futura në kartona lëngjesh frutash.
Grupi hetimor ka dyshime të forta se këta persona kanë lidhje të forta me bandat kriminale në qytetin e Shkodrës. Për këtë kanë nisur hetimet përtë zbardhur disa ngjarje kriminale me tritol të shënuara gjatë kohëve të fundit në qytetin verior ku pikërisht dyshohet se 5 shtetasit nga Kosova janë të përfshirë.
Jo vetëm në Shkodër, por edhe në Tiranë ka dyshime se ky grup kriminal të jetë ata persona që kanë siguruar lëndët shpërthyer në disa atentate dhe ngjarje të tjera të rënda.