Biznesmeni Bujar Nasufi u ekzekutua një natë në parë në Tiranë. Lidhur me këtë ngjarje u gjet një motor i djegur që dyshohet se është përdorur nga autori i vrasjes së biznesmenit. Gazetari Ervin Leka ka siguruar për ABC News foton, ku shihet se motori është shkrumbuar totalisht.
Gjithashtu mësohet se pas kontrolleve dhe verifikimeve në mbetjet e motorit të djegur është gjetur edhe një armë zjarri. Bëhet fjalë për një automatik të shkurtër, si pasojë e zjarri edhe arma është shkrumbuar totalisht.
Motori i djegur po i nënshtrohet një ekspertize nga policia e Tiranës, për të parë nëse në të gjenden gjurmë që mund të çojnë në identifikimin e autorit të dyshuar të vrasjes së Bujar Nasufit.
Pranë vendit ku u gjet motori I djegur, policia ka sekuestruar pamje të tjera nga kamerat e sigurisë për të parë lëvizjet e autorit të dyshuar.