Franca bllokon, Gjermania kërkon të investojë në Shqipëri

AKTUALITET


Nga një anë Franca vendos veton dhe bllokon zgjerimin e mëtejshëm të BE-së, nga ana tjetër Gjermania e mbështet Shqipërinë dhe madje e sheh si një vend me shumë mundësi për investitorët gjermanë.

Peter Zingraf, Ambasadori i Gjermanisë së Tiranë, gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare u shpreh se në vendin tonë ka firma gjermane që operojnë me mjaft sukses.

“Sigurisht që ka firma gjermane që këtu në Shqipëri që punojnë në mënyrë të suksesshme. Investimet janë në sektorë të ndryshëm, siç mund të jenë sektori i logjistikës, turizmit, automobilave, por mund të bëhet shumë më shumë se kaq”, tha ai duke shtuar se “ka mundësi që investimet të ishin shumë më tepër e kaq.”

“Firmat gjermane vijnë në Shqipëri, ne bëjmë me shumë dëshirë promovimin për mundësitë që ofrohen në Shqipëri dhe Shqipëria ka potencialitet të madh në këtë drejtim”-, nënvizoi Zingraf.

Duke u fokusuar te turizmi, ai pohoi se ka një rritje të numrit të turistëve nga Gjermania drejt vendit tonë vitet e fundit. Sipas ambasadorit Zingraf, turizmi malor, detar dhe ai kulturor pëlqehen shumë nga turistët gjermanë.

“Numri i turistëve gjermane që vijnë në Shqipëri është në rritje të vazhdueshme. Ajo që duam të theksojmë është se lloji i turistëve është diversifikuar, ka vizitorë qytetesh, turizëm kulturor, detare, malor, mosha është e ndryshme nga të rinjtë deri te më të moshuarit, dhe është një trend që është duke u zhvilluar më së miri”-, tha ambasadori  Gjerman në Tiranë.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka qenë avokatja më e madhe e Shqipërisë dhe mbështeti deri në fund kërkesën për çeljen e negociatave për Shqipërinë./realstory.al



Skip to toolbar