Franca emëron të dërguarin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor

AKTUALITET


Franca emëroi diplomatin Rene Troccaz si të dërguar të posaçëm për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në një njoftim të ministrisë së Jashtme thuhet se emërimi i tij është në përputhje me përfshirjen e shtuar të Francës në rajon në sfondin e afrimit të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.

“I dërguari i posaçëm do të përfshihet në çështjet më të rëndësishme të politikës rajonale, në bahskërendim me homologët e tij evropianë dhe amerikanë. Ai do të vëzhgojë gjithashtu nismat e bashkëpunimit rajonal, veçanërisht Procesin e Berlinit”, thuhet mes tjerash në njoftim.

Njoftimin e bëri në një postim në rrjetin X të njohur deri vonë si Twitter edhe vet diplomati Troccaz, i cili mbante postin e Konsullit të Përgjithshëm të Francës në Jerusalem, ndërsa më parë kishte shërbyer si ambasador i Francës në Qipro si dhe kishte mbajtur poste të ndryshme në ministrinë e Jashtme dhe atë për Evropën.

Zoti Troccaz do të jetë i dërguari i pestë perëndimorë për rajonin.

Aktualisht zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar është në postin e të dërguarit të posaçëm amerikan, Sir Stuart Peach i dërguar i posaçëm i Britanisë së Madhe, ndërsa Miroslav Lajçak, në detyrën e të dërguarit të posaçëm të BE-së për bisedimet Kosovë – Serbi dhe çështjet tjera të Ballkanit Perëndimor. Manuel Sarrazin është i dërguar i Gjermanisë për rajonin.

Që të gjithë janë pjesë e përpjekjeve për një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Emërimi i të dërguarit ndodhë në një periudhë tensionesh të larta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi të dielën më 24 shtator një grup personash të armatosur qëlloi mbi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë në veri duke vrarë një oficer policie dhe plagosur një tjetër.

Grupi më pas hyri me forcë në manastirin ortodoks të fshatit duke vazhduar të qëllojë mbi forcat e rendit. Përleshja përfundoi kur shumica e sulmuesve u arratisën. Tre nga sulmuesit e armatosur mbetën të vrarë.

Sulmi u cilësua si akt terrorist nga institucionet e Kosovës, Bashkimi Evropian dhe diplomatë të vendeve perëndimorë.

Serbia mohoi çfarëdo lidhjeje me grupin e armatosur, ndërsa Kosova akuzon Beogradin për organizimin dhe mbështetjen e tij.

Ngjarja ka nxitur shqetësime të reja ndërkombëtare për qëndrueshmërinë e rajonit, ndërsa vëzhguesit thonë se mund të ketë dëmtuar rëndë procesin edhe ashtu të vështirë të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.



Skip to toolbar