Ankthi i PD. Parashikon vendimin e Kolegjit kundër dekretit

Më të fundit


Dërgimi i dekretit të Presidentit Meta në Kolegjin Zgjedhor nga kryetari i Partisë së Unitetit Kombëtar, Idajet Beqiri, ka frikësuar Partinë Demokratike, që pas publikimit të datës së shqyrtimit të çështjes, ka nxituar për të deklaruar se Kolegji Zgjedhor nuk ka kompetencë të gjykojë dekretin e Presidentit.

“Dekreti i Presidentit të Republikës për anulimin e 30 Qershorit si dita e zgjedhjeve lokale në Shqipëri është botuar në Fletoren Zyrtare. Ai është në fuqi dhe është i detyrueshëm për zbatim në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Kundër këtij dekreti nuk ka asnjë ankimim as në Gjykatën Kushtetuese, sepse ajo  nuk ekziston, as në gjykatat e tjera të vendit, përfshirë edhe Kolegjin Zgjedhor. Edi Rama ka vetëm një rrugë për të shpallur të pavlefshëm Dekretin e Presidentit: ankimimin e tij në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Rolin dhe kompetencat e Gjykatës Kushtetuese nuk mund t’i marrë as Edi Rama, as kamikazët e tij në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, as Kolegji Zgjedhor, siç ka paralajmëruar Kryeministri i votave të vjedhura me krimin. Edi Rama gënjeu publikisht, kur pohoi për Radio Europa e Lirë se Gjykata Kushtetuese ka vendosur që kur aktet e Presidentit të Republikës lidhen me zgjedhjet, këto akte shqyrtohen nga Kolegji Zgjedhor. Praktikisht, ai ka paracaktuar vendimin e Kolegjit”, deklaroi Ivi Kaso në një deklaratë nga selia e PD.

Opozita paralajmëroi se nuk do e njohë vendimin e Kolegjit Zgjedhor, nëse ai do të jetë kundër Presidentit Meta. “Çfarëdo vendimi, nën shantazhin e procesit të vetingut, të marrin nesër anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, asgjë nuk e ndryshon faktin se 30 Qershori është një datë e shfuqizuar nga Dekreti në fuqi i Presidentit. Kjo vetëm sa thellon bindjen se për sa kohë Edi Rama është Kryeministër, në Shqipëri nuk mund të ketë asnjë garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, deklaroi PD.



Skip to toolbar