FSHF mirëpret punimet e panelit “UEFA Grassroots”, Presidenti Duka: Futbolli i bazës duhet të jetë prioritet i çdo federate

Më të fundit


Federata Shqiptare e Futbollit mirëpriti këtë të martë një nga mbledhjet më të rëndësishme të UEFA-s, “Grassroots Football Panel”. Drejtues të zhvillimit të futbollit dhe ekspertë të disa prej federatave anëtare të UEFA-s diskutuan disa tema kryesore dhe shkëmbyen idetë dhe qasjet e tyre mbi fusha të ndryshme kritike si: Konferenca e ardhshme “Grassroots”; Zbatimi i Kartës së Grassroots; Procesi i Vetëvlerësimit; UEFA Share Seminars.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, përshëndeti mbledhjen e nivelit të lartë Europian, që u organizua nga UEFA ditën e sotme në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.

Në fjalën e tij përpara të pranishmëve, Presidenti Duka tha se Grassroots është dhe duhet të jetë prioritet i çdo federate anëtare të UEFA-s dhe i qeverive të shteteve europiane, në mënyrë që çdokush të përfshihet në lojën e bukur të futbollit. Ndër të tjera, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar tha se FSHF po punon shumë fort që të realizohen të gjitha objektivat e vendosura në strategjinë “Futbolli për Kombin” për prioritetin “Grassroots”.

“Dhe kjo është arsyeja se pse Grassroots është dhe duhet të jetë çelësi i përfshirjes dhe mundësive të barabarta për të gjitha moshat dhe gjinitë, zhvillimit dhe pasionit të futbollit dhe ne duhet të sigurohemi që çdokush të ketë akses në lojën e bukur të futbollit. Dhe kjo është arsyeja se pse të gjithë ne si Federata anëtare dhe qeveri duhet ta kemi si prioritet në strategjitë tona. Dy vite më parë ne paraqitëm strategjinë 2022-2025 dhe Grassroots është një nga prioritetet tona, ku gjatë këtyre dy viteve po punojmë pa pushim për të arritur objektivat tona:

Të dyfishojmë numrin e futbollistëve dhe trajnerëve

Të rrisim me 10% numrin e nxënësve të shkollave që regjistrohen në kampionatet e organizuara nga FSHF, duke rritur bashkëpunimin dhe punën tonë me shkollat.

Brenda vitit 2025 ne synojmë  gjithashtu edhe krijimin e shkollës së futbollit të  FSHF” – tha ndër të tjera Presidenti Duka.

Kjo është mbledhja e dytë për këtë vit që UEFA organizon në vendin tonë, pas asaj të 16 prillit me pjesëmarrjen e drejtuesve të 11 federatave të futbollit të Europës Juglindore.

Më parë FSHF ka mirëpritur dhe ka organizuar në “Shtëpinë e Futbollit” edhe mbledhjen e një prej organeve më të rëndësishme të UEFA-s, Komitetin “HatTrick”. /FSHF



Skip to toolbar