Fund bojkotit, opozita sot në tryezë me PS për reformën zgjedhore

AKTUALITET


Të gjitha partitë parlamentare dhe jo parlamentare do të ulen bashkë të mërkurën (sot) në një tryezë bisedimesh për reformën zgjedhore. Ky është hapi i parë drejt vendosjes së dialogut mes palëve dhe shënon gjithashtu edhe thyerjen e bojkotit të opozitës ndaj institucioneve.

Tryeza është një nismë e zyrës së OSBE-së në Tiranë dhe do të nisë në orën 09:30. Fjalën hyrëse në këtë tryezë do ta mbajë ambasadori i OSBE-së në Tiranë Bernd Borchardt. Pritet që Borchardt t’i referohet rekomandimeve të bëra nga misioni i vëzhguesve të ODIHR-it pas zgjedhjeve të 30 qershorit.

Më pas fjalën do ta marrin dy bashkëkryetarët e komisionit për reformën zgjedhore Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari.

Megjithëse do të marrë pjesë në tryezë, opozita do të përfaqësohet në nivel teknik, pra vetëm me ekspertë të çështjes dhe jo me figura politike. Pra do të mungojnë kryetarët e partive, si Basha e Kryemadhi.

Përfaqësuesit e opozitës në nivel teknik do të jenë Ivi Kaso nga Partia Demokratike, Muharrem Caka nga LSI-ja dhe Arjan Madhi nga Partia Republikane.

E rëndësishme është nisja e një dialogu, fillimisht ky i refuzuar nga kreu i PD-së, i cili vetëm pak ditë më herët i pyetur nga gazetarët për këtë nismë të OSBE-së, u shpreh se tryeza për reformën zgjedhore nuk e zgjidh krizën në vend. Por duket se deklarata e fortë e SHBA-së e drejtoi opozitën drejt rrugës së dialogut institucional, duke i dhënë fund strategjisë së bojkotit disa mujor.

OSBE ka ftuar gjithashtu në tryezë të gjitha partitë politike, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si dhe Komisionin e Venecias.

Reforma Zgjedhore është prioriteti kryesor i ndërkombëtarëve për Shqipërinë, pas miratimit të reformës në drejtësi.

Kjo reformë gjithashtu është një nga nëntë kushtet e vendosura nga Gjermania që dha të martën dakordësinë për çeljen e negociatave me BE-në./realstory.al



Skip to toolbar