Fuqizohet uragani “Dorian”, ishujt Bahamas në alarm

BOTA


Ishujt Bahamas po bëhen gati të përballen me uraganin “Dorian”, i cili është përforcuar duke u ngjitur në kategorinë e katërt të stuhive. Stuhia, e konsideruar “jashtëzakonisht e rrezikshme”, pritet të godasë ishujt ditën e diel, përpara se të zbarkojë në bregun lindor të Shteteve të Bashkuara. Banorët në Grand Bahama janë përgatitur duke ngritur masa mbrojtëse për bizneset e tyre dhe duke u evakuuar nga shtegu që do të ndjekë “Dorian”.

Ndërkohë, autoritetet kanë mbyllur disa aeroporte në ishujt përreth, por ai ndërkombëtar do të qëndrojë i hapur edhe gjatë së dielës. “Dorian” mund të ketë një lartësi prej 4.6 metrash dhe pritet të fryjë me një shpejtësi deri në 225 kilometra në orë. Pasi të godasë ishujt Bahamas uragani do të lëvizë drejt brigjeve amerikane, duke zbarkuar në Florida, ku druhet të kthehet në stuhinë më të keqe ndër dekada. Meteorologët kanë paralajmëruar se ai mund të jetë më i keqi që kur uragani “Endriu” vrau 65 persona dhe shkatërroi 63 mijë shtëpi në vitin 1992.

Presidenti Donald Trump deklaroi se po e monitoron nga afër situatën, të cilën e cilësoi si “jashtëzakonisht të rrezikshme”. Ai gjithashtu anuloi vizitën e tij në Poloni, duke dërguar atje zëvendës presidentin Majk Pens.



Skip to toolbar