Shtrëngatat e shiut dhe të erës, që përfshinë vendin në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, kanë shkaktuar probleme të mëdha në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Me anë të një njoftimi për shtyp, OSHEE, shprehet se furtuna ka shkaktuar probleme në disa zona në vend, si Burrel, Shkodër, Durrës, ndërsa në Lezhë situata paraqitet më problematike.
Për shkak të erërave të forta, janë dëmtuar linjat e Tensionit të Mesëm në këto qytete, duke shkaktuar ndërprerjen e energjisë elektrike për banorët dhe bizneset. Përcjellësat e energjisë elektrike janë dëmtuar për shkak të rrëzimit të pemëve, duke këputur telat. Për shkak të furtunës në Shëngjin pati dëme të konsiderueshme materiale, ku si pasojë e erërave të forta, janë dëmtuar disa biznese pranë plazhit si dhe mjetet e disa pushuesve.
Njoftimi i OSHEE
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE sh.a është duke ndjekur me përparësi furnizimin me energji elektrike të të gjithë konsumatorëve nëpërmjet rrjetit shpërndarës të energjisë elektrike nga Drejtoria e TL dhe Drejtoritë Rajonale përkatëse. Për shkak të motit jo të qëndrueshëm, me erëra të forta që ka përfshirë vendin gjatë natës së mbrëmshme dhe në vazhdim, janë dëmtuar disa linja të Tensionit të Mesëm.
Rajonet më të prekura nga defektet janë Burreli, Shkodra dhe Durrësi (zona e Krujës).
Siç shihet nga pamjet, stuhia e natës shkaktoi rrëzim të pemëve mbi përcjellësit elektrik, duke i këputur ato. Rrjeti është dëmtuar edhe nga materiale të forta për shkak të stuhisë (rasti në Tale-foto).
Problematike paraqitet situata edhe në Lezhë.