Gara për kreun e ri të Policisë së Shtetit/ Ja emri i përzgjedhur nga Ministria e Brendshme

AKTUALITET


Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha propozon Ilir Prodën për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.

Komisioni Ad-Hoc ka përfunduar vlerësimin me sistemin e pikëve, duke dorëzuar listën e 11 emrave kandidatë për pasues të të dorëhequrit Muhamet Rrumbullaku.

Më tej lista është selektuar në 5 emrat kryesorë, që kanë marrë më shumë pikë dhe dikasteri njoftoi sot renditjen sipas rendit alfabetik. 

Kurse ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, konfirmon në një komunikim publik si më poshtë, se i ka propozuar kryeministrit Edi Rama për miratim në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë, emrin e Ilir Prodës.

Kujtojmë se drejtori aktual i Policisë së Elbasanit, Ilir Proda, ditë më parë u lakua edhe si kryepolici që iu mor telefoni për verifikim edhe nga SPAK, në lidhje me dosjen e grupit “Çopja” në Elbasan, por që duket se ka rezultuar i pastër nga verifikimet e nevojshme, edhe në kuadër të garimit për postin më të lartë të bluve.

Njoftimi zyrtar i Ministrisë së Brendshme:

Në mbështetje të ligjit Nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, si dhe Udhëzimit të Ministrit të Brendshëm Nr. 160, datë 2.9.2024 “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për përzgjedhjen e kandidatit për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit”, Ministria e Brendshme shpalli thirrjen publike për aplikim për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. 

Komisioni i Posaçëm i ngritur sipas parashikimit të të njëjtit ligj, zhvilloi seanca dëgjimore me qëllim vijimin e procesit të vlerësimit për 11 kandidatët e kualifikuar, sipas kritereve të këtij procesi. Seancat dëgjimore u ndoqën nga misionet partnere pranë Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, ICITAP dhe EU4LEA, në rolin e vëzhguesit të procesit.

Komisioni i Posaçëm kreu verifikimin e pastërtisë së figurës për të gjithë kandidatët e kualifikuar, duke kërkuar të dhënat përkatëse nga organet ligjzbatuese si vijon: Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Prokuroria e Përgjithshme, Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH),  Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit (DPPSH), Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), Agjencia e Informacionit të Sigurisë së Mbrojtjes (AISM). 

Në fund të këtij procesi, ditën e premte 27.09.2024, Komisioni i Posaçëm i dorëzoi në bazë të ligjit Ministrit të Brendshëm listën me 5 kandidatët më të vlerësuar, paraqitur si më poshtë sipas rendit alfabetik:

•    Z. Altin Mena
•    Z. Ardian Çipa
•    Z. Ilir Proda
•    Z. Neritan Nallbati
•    Z. Skënder Hita

Ministri i Brendshëm do t’i përcjellë Këshillit të Ministrave, si kandidat për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, z. Ilir Proda dhe vendimi i Qeverisë për këtë kandidaturë do të merret në mbledhjen e radhës.



Skip to toolbar