Eksperti i sigurisë Ilir Kulla, komentoi në emisionin Real Story me Sokol Ballën, konfliktin mes Izraelit e Palestinës, i cili kulmoi pak ditë më parë me breshëri raketash, e qindra të vdekur.
Kulla tha se arroganca me xhaminë Al-Aksa ishte jo vetëm e panevojshme, por edhe një shpallje lufte ndaj vendeve arabe. Ndër të tjera ai e konsideroi gazën një bombë demografike, duke theksuar se janë 2.5 mln njerëz në një territor sa Kavaja.
“Mbreti i Arabisë Saudite është kujdestar i tre objekteve më të rëndësishme të kultit, një prej tyre është Alaksa, ku ministri i brendshëm i qeverisë së Izraelit shkoi para disa ditësh dhe përsëriti atë që bëri Ariel Sharon në 2000. Kur ne e dimë se ka një precedent, dhe e dimë si është e ngarkuar skena politike në Izrael dhe vitin e fundit cdo javë ka patur protesta me nga 1 milionë njerëz dhe ka patur një përpjekje shumë të madhe të ndërkombëtarëve për ta zbutur Izraelin me pjesën tjetër të vendeve arabe që nuk e njohin, atëherë, si i bie që ka edhe nga ana izraelite njerëz që kanë dash t’i fryjnë zjarrit.
Arabia, Egjipit, Katari që e ka financuar Hamasin, me radhë vendet e tjera Arabe, kanë marrë mbështetjen e Hamas, sepse të gjithë mendojnë se arroganca me xhaminë Al-Aksa ishte jo vetëm e panevojshme, por edhe një shpallje lufte ndaj vendeve arabe. Sigurisht që edhe pjesa tjetër e partive izraelite, ato që janë në opozitë, por dhe në pushtet nuk kanë qenë shumë të kënaqur me këto sjellje. Deri tani në Izrael ka patur 27 sulme terroriste dhe ka patur, shumë të vrarë ne Bregun Perëndimor. Pse Gaza është kaq e rëndësishme? Sepse Gaza, ne e dimë të gjithë, është një bombë e jashtëzakonshme demografike, 2.5 mln njerëz në një territor sa Kavaja-” tha Kulla.