Lufta mes Hamasit dhe Izraelit vazhdon me sulme të reja në Gaza dhe viktima të tjerë.
14 anëtarë të stafit të agjencisë humanitare të OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA, raportohet të ketë humbur jetën në këtë territor, ku sipas të njëjtës agjenci, nuk mjaftojnë më thasët për trupat e të vdekurve. Bilanci i viktimave atje numëron tashmë 2700.
“Gaza është në prag të katastrofës”, paralajmëron UNRWA. Prej 5 ditësh, enklava është pa energji, pa ujë, pa shërbimet shëndetësore e ushqimet gjithashtu po mbarojnë, theksohet në njoftim.
“Ne jemi zjarrfikës, nuk kemi armë, nuk koordinohemi me askënd. Ne jemi civilë. Jemi njerëz që shuajmë zjarre dhe ndihmojmë të plagosurit. Nuk ka asnjë arsye përse të kthehemi në shënjestra. Izraelitët nuk po bëjnë më dallim mes civilëve e militantëve. Po i qëllojnë të gjithë”, tha njw punonjws duke qarw.
Irani deklaron se Hamasi është gati të lirojë pengjet në duart e tij nëse Izraeli ndalon sulmet në Rripin e Gazës. Ushtria izraelite pohoi së fundi se në duart e militantëve janë rreth 200 pengje, një shifër kjo më e lartë nga u deklaruar fillimisht. Familjarët e tyre janë njoftuar tashmë. Kufiri mes Gazës dhe Egjiptit është ende i mbyllur ndërkohë, pavarësisht raporteve të mëparshme se po rihapej për shtetasit e huaj. Një numër i madh njerëzi janë mbledhur në vendkalimin e Rafah-së, me shpresën e hapjes së tij.
Rafah është në kufirin midis Gadishullit Sinai të Egjiptit dhe Gazës të qeverisur nga Hamasi dhe është i vetmi vendkalim në territorin që nuk kontrollohet nga Izraeli. Aktualisht, nuk ka asnjë mënyrë tjetër që njerëzit të largohen nga Gaza, pasi të gjitha pikat e tjera janë të mbyllura, e as nuk ndihmat nuk hyjnë dot.