Teksa procesi gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit mbetet në qendër të vëmendjes publike, diskutimet e fundit në emisionin “Real Story” kanë nxjerrë në pah kompleksitetin e lartë të kësaj dosjeje për drejtësinë e re.
Avokati i familjarëve të viktimave, Dorian Matlija, dhe analisti Arben Meçe, ndonëse ndajnë të njëjtin shqetësim për vonesat, ofrojnë perspektiva të ndryshme mbi ecurinë e hetimit nga SPAK.
Avokati Matlija theksoi se kalimi i viteve e bën punën e SPAK-ut tejet të vështirë, por insistoi se procesi tashmë “ka hyrë në shina”. Sipas tij, pritshmëritë janë të larta për një vendim përfundimtar ndaj ish-ministrit Mediu dhe zbardhjen e fraksionit të korrupsionit, për të cilin ekziston informacion i mjaftueshëm.
Dorian Matlija: Një proces i tillë nuk është kaq i lehtë. SPAK nuk e ka shumë të lehtë edhe për shkak të kohës. Ka pasur vullnetin për ta hapur. Drejtësia nuk e ka kaq të lehtë për të zbërthyer këtë dosje, sepse nuk mund të dështojë. Ajo që unë kam shpresë është edhe pse ka ngrënë kohë, ka hyrë në shina. Do të përfundojë në një vendim për zotin Mediu. Për fraksionin tjetër, që lidhet me korrupsionin, ka aq shumë informacion sa të hyjë në thelb. Mua më jep shpresë që kjo çështje do të zhvillohet.
Nga ana tjetër, analisti Arben Meçe ngriti alarmin se Prokuroria e Posaçme nuk duhet të bie pre e manipulimeve të kryera nga sistemi i vjetër i drejtësisë. Ai kritikoi reduktimin e çështjes dhe neglizhimin e rolit të forcave ushtarake, duke e konsideruar këtë si një pengesë të qëllimtë të trashëguar.
Arben Meçe: SPAK nuk mund të bëhet viktimë e atyre të parëve që kanë manipuluar më parë. Ajo që unë dua të them është pse janë neglizhuar forcat ushtarake. E kanë reduktuar çështjen shumë. Manipulimi që ka bërë sistemi drejtësisë, e ka bllokuar çështjen.
