Gjakmarrja trondit Mirditën, vritet dhe hidhet në kanal i riu

AKTUALITET


Me plumba në trup, i mbuluar me gjak dhe i hedhur në kanal në një fshat të Mirditës. Kështu është gjetur një 34-vjeçar, i cili mendohet se është ekzekutuar për gjakmarrje, megjithëse policia ende nuk ka një autor të identifikuar për krimin e rëndë, i cili është viktima e pestë në 24 orë në vendin tonë.

Sipas të dhënavve paraprake të policisë rezulton se viktima është Eri Zefi, i cili është gjetur i vrarë pasditen e së mërkurës në fshatin Zallë Xhuxhë të Fanit të Mirditës. Banorët e zonës e kanë gjetur 34-vjeçarin të hedhur në një kanal dhe menjëherë kanë njoftuar shërbimet e policisë, të cilat kanë ngritur disa postblloqe dhe kanë nisur krehjen e zonës me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve. Një grup hetimor nga specialistët e hetimit të krimit është ngritur në vendin e ngjarjes dhe nga dyshimet paraprake mendohet se Zefi është vrarë me armë zjarri për hakmarrje.

Sipas grupit hetimor, Eri Zefi është vëllai i Ndue Zefit, i cili në shkurt të vitit 2019 ka vrarë fqinjin e tij 45-vjeçarin Martin Ndreca pas një sherri banal. Martin Ndreca u vra në sy të djalit të tij 10-vjeçar. Fqinji i tij Ndue Zefi nuk ka pyetur që fqinji i tij në makinë kishte edhe të birin, por e ka qëlluar me automatik duke e lënë të vdekur në vend. Fatmirësisht vogëlushi 10-vjeçar shpëtoi. Ngjarja tragjike ndodhi në zonën e ish-Kënetës në Durrës. Martin Ndreca dhe Ndue Zefi, të dy me origjinë nga Mirditë dhe fqinj me njëri-tjetrin në Durrës, ndodheshin në një lokal të lagjes, kur kanë nisur një debat mes tyre, që çoi më tej edhe në rrëmbimin momental të autorit, duke e ndjekur Martin Ndrecën deri tek makina, teksa ai ikte për në banesë, ku edhe e vrau.

Kjo ngjarje ka ngritur dyshimet se vrasja e Eri Zefit mund të jetë kryer për shkaqe hakmarrje nga të afërm të viktimës që vëllai i tij la më 24 shkurt të këtij viti.

Megjithatë, policia tha se ende nuk ka prova për të lidhur këtë krim me atë të ndodhur në shkurt, veç dyshimit të arsyeshëm për lidhje të mundshme mes tyre.

Ndërkohë, zona ku ndodhi vrasja është disa kilometra larg qendrës së Rrëshenit në një zonë të thellë malore. Burimet policore thonë se uniformat blu kanë ngritur disa pika kontrolli si dhe po bën krehjen e zonës për të kapur autorin ose autorët.

Kjo është vrasja e tretë që shënohet në dy ditë në vendin tonë. Vetëm një ditë më herët, në Lushnjë u ekzekutua me kallashnikov Besnik Hida ndërsa pinte kafen e mëngjesit, kurse në mesditë për shkaqe pronësie, Sadi Dakuci vrau vëllain, Kujtim Dakuci dhe nipin Flogert Dakuci. Më pas Dakuci qëlloi edhe veten.



Skip to toolbar