Analisti Agron Gjekmarkaj, i ftuar në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla në “News24”, ka analizuar zhvillimet e fundit politike, por edhe për përplasjet mes Presidencës dhe KED-së, në lidhje me zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Ai tha se në Shqipëri ka një bandë politike, e cila ka marrë hov të paparë për të kapur institucionet e vendit. Sipas tij, Presidenti i Republikës, Ilir Meta është në një betejë të madhe për të mbrojtur institucionet nga lakmia e maxhorancës, e cila siç theksoi ai po tenton kapjen e tyre.
“Ne krejt si shoqëri kemi rrëshqitur mbi procedurat sikur të jemi shoqëria amerikane, por këtu kemi një bandë që ka marrë hyxhym për të kapur institucionet nga qeliza në qelizë. Ilir Meta mund të ketë të gjitha arsyet e Zotit për ta bërë betejën edhe personale. Unë mendoj se beteja e tij është interesi i publikut. Interesi i publikut është që të mos lejohet të kapja e institucioneve. Ne demokraci nuk ka armiq, por ka kundërshtarë”, tha ai.