Ambasada e Gjermanisë ka dënuar fort dhunën e ushtruar nga opozita ndaj KZAZ-ve, duke i cilësuar trazirat e dhunshme, jolegjitime. Pas Ambasadës së SHBA-së, Gjermania i ka bërë apel të fortë opozitës për mundësuar zhvillimin e një proteste paqësore, duke theksuar se dhuna është e papranueshme në një vend demokratik. Sulmet e bëra në disa KZAZ të vendit, ku në disa prej tyre situata ka qenë mjaft e tensionuar e karakterizuar nga shkatërrimi i materialeve zgjedhore apo dëmtimi i godinave, ambasadorja Susanne Schütz i ka cilësuar si një zgjedhje e gabuar në një përballje politike.
“Liria e tubimeve dhe e drejta për të demonstruar paqësisht janë kolonat e çdo demokracie. Ndërsa dhuna e çdo lloj forme është e papranueshme! Duke pasur parasysh demonstratën e njoftuar për mbrëmjen e sotme u bëj thirrje të gjithë pjesëmarrësve të respektojnë ligjet në fuqi. Prej organizatorëve pres të angazhohen me të gjitha mundësitë për një zhvillim paqësor të protestës si dhe të jenë në lartësinë e përgjegjësisë së tyre përmes apelit publik për protesta paqësore. Me shqetësim të madh jam duke ndjekur ditët e fundit edhe trazirat e dhunshme në vende të ndryshme të Shqipërisë. Një gjë është e qartë: mësymjet e dhunshme nuk janë mjete legjitime të përballjes politike. U bëj thirrje me forcë të gjitha palëve të heqin dorë edhe nga sulmet verbale e të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre për vendin”, shkruan Schütz .