Gjermania thirrje Izraelit t’i japë fund pushtimit të Bregut Perëndimor

BOTA


Gjermania bëri thirrje për një fund të shpejtë të pushtimit 57-vjeçar të Bregut Perëndimor nga Izraeli. Izraeli duhet “në të ardhmen t’i japë fund okupimit (të Bregut Perëndimor) sa më shpejt të jetë e mundur”, tha zëvendëszëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Christian Wagner në një konferencë shtypi në Berlin.

Qeveria gjermane e ka bërë të qartë vazhdimisht se pushtimi i vazhdueshëm i Bregut Perëndimor është një pengesë e madhe për një zgjidhje me dy shtete. Ndërkohë, Wagner shprehu gjithashtu shqetësim për përshkallëzimin e fundit në Bregun Perëndimor pasi Izraeli nisi një ofensivë të re të madhe ushtarake në territoret e pushtuara.

“Ne jemi shumë të shqetësuar për situatën në Bregun Perëndimor”, gjithashtu në sfondin e dhunës në rritje, numrit të lartë të vdekjeve të civilëve dhe shkallës së shkeljeve të të drejtave, tha ai.

Si një fuqi pushtuese, Izraeli “ka gjithashtu detyrë të mbrojë popullsinë civile”, veçanërisht kur bëhet fjalë për kolonët e dhunshëm, shtoi Wagner.

Ushtria izraelite vrau 11 palestinezë në bastisjet e mëngjesit të sotëm në veri të Bregut Perëndimor të pushtuar.

Në një deklaratë të shkurtër, Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se gjashtë persona në qytetin Jenin dhe pesë të tjerë në Tubas u vranë në inkursionet e ushtrisë izraelite.

Ushtria izraelite ka konfirmuar se po kryen bastisje ushtarake në disa zona në veri të Bregut Perëndimor, duke përfshirë Jeninin, Tubasin dhe Tulkaremin.

Në deklarata të veçanta, grupet palestineze, duke përfshirë Hamasin dhe Xhihadin Islamik, thanë se luftëtarët e tyre janë përfshirë në përleshje me forcat izraelite në Jenin dhe Tulkarem.

Gjatë viteve të fundit, forcat izraelite kanë kryer bastisje të rregullta në Bregun Perëndimor, të cilat u përshkallëzuan pas luftës në Gaza tetorin e kaluar, në të cilën janë vrarë mbi 40.400 palestinezë.

Palestinezët gjithashtu janë sulmuar dhunshëm nga kolonët e paligjshëm izraelitë. Vdekjet e reja e çojnë numrin e viktimave në Bregun Perëndimor që nga 7 tetori në të paktën 662 dhe gati 5.400 të tjerë të plagosur nga zjarri i ushtrisë izraelite, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.

Në një opinion historik më 19 korrik, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshëm pushtimin disadekadësh të tokës palestineze nga Izraeli dhe kërkoi evakuimin e të gjitha vendbanimeve ekzistuese kolone në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.



Skip to toolbar