Apeli i GJKKO nuk ndryshon qëndrim për Artan Shkëmbin, zv.drejtori i Operacionit Forca e Ligjit, pas akuzave për korrupsion dhe nxjerrje sekreti hetimor.
Shkëmbi dyshohet se ka dekonspiruar të dhëna për një grup kriminal që ishte nën hetim nga autoritetet gjermane. Kjo çështje është duke u hetuar dhe ka të ngjarë që të ketë të përfshirë dhe zyrtarë të tjerë të policisë.
Vendimi për pezullimin e tij u mor tre ditë më parë nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe u pasua nga një urdhër i kryepolicit Ard Veliu.
Artan Shkëmbi, ka mbajtur disa detyra të rëndësishme në policinë e shtetit, ndërsa kandidoi edhe për të marrë drejtimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, por nuk arriti të kualifikohet në fazën e testit të poligrafit. Në shkurt 2020, ai kaloi me sukses testin e vettingut, pavarësisht probleme që u relatuan nga trupa gjykuese në shtyllën e pasurive dhe figurës morale.