Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ka refuzuar kërkesën e të dënuarit Fatmir Pjetri për ta nxjerrë nga qelitë e regjimit të posaçëm 41Bis.
“Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 112 dhe 471 e vijues të K.Pr.Penale dhe nenin 17 të Ligjit nr. 81/2020, datë 25.06.2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, me vendimin Nr. 234, datë 06.11.2024, vendosi: Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit (të dënuarit) Fatmir Pjetri. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të këtij vendimi”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Pjetri është dënuar si anëtar i “Bandës së Babagjyshëve”, dhe po vuan një dënim me 30 vite burg për “vjedhje me armë” dhe “grup kriminal”
Në vitin 2021 ai u bë protagonist i një tentative arratie nga burgu 313 bashkë me Arbër Çekajn. Pjetri është izoluar në 41bis që në prill 2024.
Ai njihet si nga një anëtarët më aktivë të kësaj bande famëkeqe, e cila ka bërë disa nga grabitjet më spektakolare në vend.