Dy deputetët e opozitës Ralf Gjoni e Rudina Hajdari i hapin dyert e Kuvendit përfaqësuesve të Nismës Thurje ndërsa mohojnë se po bashkëpunojnë për krijimin e një partie të re, të paktën për momentin. Në nëntor të vitit të kaluar dy deputetët e opozitës u shfaqën në një aktivitet në Gjirokastër të nismës Thurje, ndërsa të martën ata ftuan në parlament përfaqësuesit e kësaj nisme ku në një konferencë të përbashkët për shtyp njoftuan se kanë depozituar në kuvend një projektligj për ndryshimet në reformën zgjedhore të shoqëruar me një peticion të firmosur nga 50 mijë qytetarë të cilët kërkojnë ndryshime rrënjësore në këtë reformë. Si Hajdari ashtu edhe Gjoni u shprehën se e mbështesin propozimin ligjor të nismës Thurje dhe thanë se maxhoranca në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore duhet ta trajtojë me seriozitet këtë propozim që shpreh vullnetin e 50 mijë qytetarëve shqiptarë.
“Ky projektligj është komplimentar me disa propozime të tjera që kanë ardhur në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Kjo ngjarje është një risi pasi për herë të parë shoqëria civile po propozon një nismë në parlamentin e Shqipërisë pasi parlamenti është i qytetarëve dhe jo i politikanëve. Nëse ne një ditë do ta bëjmë ndryshimin ashtu siç është për t’u bërë, ne duhet t’ua kthejmë sovranitetin shqiptarëve dhe jo politikanëve që kanë 30 vite që e kanë sunduar Shqipërinë. Falënderoj çdo qytetarë që i është bashkuar kësaj nisme për të ndryshuar sistemin aktual që ka bërë bajraktarë vetëm 4 veta që kanë zaptuar Shqipërinë dhe nuk e lënë të ecë përpara”, tha Hajdari.
Ndërsa Ralf Gjoni i pyetur nëse janë duke krijuar një parti me nismën Thurje u shpreh se tani nuk është momenti për të folur për parti por do të flasë për këtë në javët në vazhdim, duke e lënë të hapur si temë.
“Kjo nuk ka të bëjë për bashkimin apo për një alternativë. Kjo ka të bëjë me hapësirat që duhen krijuar në parlament përsa i përket shtyllës së dytë të demokracisë shqiptare. Pas reformës në drejtësi të mbështetur nga SHBA, sfida kryesore e të gjithë shqiptarëve dhe e jona si deputetë të opozitës është ndryshimi rrënjësor i sistemit zgjedhor për t’i kthyer legjitimitetin institucionit bazë të një demokracie, që është parlamenti. Bashkë me zonjën Hajdari ne e kemi firmosur këtë peticion bashkë në Gjirokastër pasi besojmë shumë se Shqipërisë i duhet një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura ku qytetari të zgjedhë deputetin që do. Nuk është koha për parti të reja. Do të flasim për këtë gjatë javëve në vazhdim”, tha Gjoni.
Përfaqësuesi i nismës Thurje, Endri Shabani tha se sistemi aktual zgjedhor nuk fut në parlament përfaqësues të popullit por njerëz që emërohen nga kryetarët e partive politike. Madje sipas tij shumë prej deputetëve kanë qenë të lidhur me krimin dhe as që kanë mbajtur ndonjë fjalim në kuvend për interesat e shqiptarëve.
“10 milionë euro që i paguajmë shtetit si taksapagues. Ndërsa 16 deputetë të legjislaturës së kaluar ose kishin lidhje me krimin, pse s’kishin mbajtur asnjë fjalim në parlament. Sot ky parlament ka mundësi të tregojë se voton një projektligj që vjen nga qytetarët shqiptarë. Ne kemi sjellë sot vullnetin e pjesës tjetër të popullsisë që kërkon ndryshim. Është zëri më i fortë shqiptarë i këtyre 30 vjetëve demokraci që kërkojnë se pazari i 2-3 vjetëve i ka ardhur fundit. Sot deputetët e opozitës në parlament kanë mundësi të tregojnë se është koha e qytetarëve”, tha Shabani.
Propjektligji i propozuar nga nisma Thurje parashikon ndryshimin e sistemit zgjedhor nga proporcional rajonal me lista të mbyllura që është aktualisht, në proporcional kombëtar me lista të hapura. Ata besojnë se ky sistem do t’i japë fund emërimit të deputetëve nga kryetarët e partive, si dhe do t’i japë fund ndarjes rajonale “bajraktarë” të vendit që ka futur në kuvend njerëz nga bota gri, ose të lidhur me krimin./realstory.al
Projektligji i plotë për ndryshime në reformën zgjedhore të propozuar nga nisma Thurje.