Gazetari i njohur Skënder Minxhozi, i ftuar në emisionin “Real Story” komentoi ngjarjen tragjike, ku një 14 vjeçar u qëllua për vdekje me thikë pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë.
Ai po ashtu komentoi edhe gjuhën e përdorur në platformat virtuale, ku disa adoleshentë teksa flisin për vdekjen e 14-vjeçarit kërcënonin duke bërë thirrje për akte të tjera kriminale.
Këto shfaqje tha Minxhzoi janë tregues se shoqëria jonë është “e sëmurë në të gjitha qelizat e veta”.
Ai shtoi se ky makabritet shfrytëzohen nga të rinjtë dhe kjo nuk shqetëson askënd, madje as strukturat ligjzbatuese, që sipas tij, duket që janë inekzistente në këtë fushë.
“Na tregon një shoqëri të sëmurë në të gjitha qelizat e saj. Kam frikë se shtrihet më tej kjo situatë alarmante, në pikëpamjet sociale shtrihet tek teknologjia e cila ne na e ka lehtësuar shumë daljen në sipërfaqe të instikteve më të ulëta të qenies njerëzore, Umberto Eco thoshte se “Interneti është demokracia e budallenjve’. Kishte të drejtë. Pjesa negative janë ato adoleshentët aty, të cilët kanë krijuar nëpër aplikacione dhe platforma komunikimi, ato bashkësitë e tyre, virtuale, ku futen dhe konsumojnë vetëm këtë lloj gjuhë, kërcënohen mes tyre dhe këtë e bëjnë për një gjë krejt banale, që është “like”.
Bëjnë para përmes kësaj pëlqyeshmërie, pra është një mekanizëm që ka brenda edhe përfitimin, edhe gjuhën e skajshme sjelljen barbare, ka një krizë të madhe, në familje, shoqërim, në atë ambient ku jetojnë, ka brenda dhe një shtet të dobët siç është dhe ky shteti ynë dhe askush nuk reagon”, tha ai.