Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, pjesë e koalicionit VLEN, Arber Taravari thotë se gjuha shqipe përdoret në Maqedoninë e Veriut, por nuk është zyrtare.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Taravari u shpreh se në Gjykatën Kushtetuese nuk do të diskutohet përdorimi i gjuhës shqipe, por për 3 nene që nuk janë implementuar ende, në ligjin që është bërë në vitin 2017. Taravari shtoi se BDI-se nuk i intereson aspak çështja kombëtare.
“Para 1991, para pavarësimit të Maqedonisë, gjuhë zyrtare në Republikën Socialiste të Maqedonisë ishin gjuha maqedonase, gjuha turke dhe gjuha shqipe. Tashmë, gjuhë zyrtare në kushtetutë, në Maqedoni, gjuhë zyrtare janë gjuha maqedonase dhe gjuha që flasin mbi 20 për qind e popullatës. Gjuha shqipe përdoret në Maqedoni, por jo zyrtare. Kryeministri Kurti shumë bukur e tha. Në Kosovë jetojnë 4 përqind serbë, dhe ku të shkoni, në çdo institucion, qëndron gjuha shqipe dhe gjuha serbe. Kurse në Maqedoni ku jetojnë përafërsisht 30 për qind shqiptarë, fatkeqësisht, jo në çdo institucion. Këtu, konteksti gjuhësor. Nuk diskutohet në Gjykatën Kushtetuese a do të përdoret gjuha shqipe. Vetëm për 3 nene, për 3 dispozita të cilat nuk janë implementuar ende me ligjin e 2017. Zoti Ahmeti e ka sjellë atë ligj, e kemi përkrahur.
Pas 7 vjetësh, ligji nuk është implementuar. Cilat janë 3 dispozitat? Në kartëmonedhat nuk qëndron shqip, edhe sot e kësaj dite. Në uniformat e policëve dhe ushtarëve. Dhe në procedurat gjyqësore ku të gjitha palët janë shqiptarë. Pse zoti Ahmeti duke pasur gjithë atë pushtet, nuk arriti të implementojë këto 3 dispozita të ligjit. BDI-së nuk i intereson aspak çështja kombëtare. Kanë hallin e përgjegjësisë për të cilën duhet të japin llogari”, theksoi ai./abcnews.al