Gjykata e Lartë e Kolorados: Trump nuk mund të jetë në fletën e votimit, ja arsyeja

BOTA


Gjykata e Lartë e Kolorados vendosi të martën që emri i ish-Presidentit Donald Trump nuk mund të jetë në fletën e votimit në zgjedhjet paraprake në atë shtet më 5 mars për shkak të rolit të tij në trazirat e 6 janarit në ndërtesën e Kongresit të Shteteve të Bashkuara nga mbështetësit e tij.

Vendimi historik ka gjasa që të shkojë për shqyrtim në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara.

Vendimi i Gjykatës së Lartë të Kolorados, 4 me 3, e cilëson zotin Trump si kandidatin e parë presidencial në historinë e Shteteve të Bashkuara që të konsiderohet i papërshtatshëm për Shtëpinë e Bardhë, sipas një dispozite të Kushtetutës amerikane të përdorur rrallë herë që i ndalon zyrtarët e përfshirë në “trazira ose rebelim” që të mbajnë poste publike.

Gjykata arriti në përfundimin se Kushtetuta amerikane e ndalon përfshirjen e emrit të kandidatit kryesor republikan në fletën e votimit në Kolorado për shkak të rolit të tij në nxitjen e dhunës kundër qeverisë amerikane.

Gjykata në Kolorado tha se vendimi do të jetë i pezulluar deri më 4 janar të vitit 2024, për të mundësuar apelimin e vendimit. Fushata e zotit Trump e quajti vendimin e gjykatës “të gabuar” dhe “jodemokratik” dhe tha se do ta apelonte.



Skip to toolbar