Gjykata i heq bllokimin Havanës, Braçe: Kjo është drejtësia e vjetër!

AKTUALITET


Gjykatësi i Vlorës Skënder Haluci ka vendosur të heqë bllokimin e vendosur nga Tatimet për resortin e famshëm në Dhërmi, Havana, të njoftuar edhe nga vetë kryeministri Rama si sukses i luftës kundër informalitetit dhe evazionit fiskal. Mënjehrë pas këtij vendimi ka reaguar zëvendës kryeministri Erion Braçe i cili akuzon gjyqtarin dhe thotë se ky është një vendim i marrë nga drejtësia e vjetër, ndërsa dosja do të shkojë në vetting. Braçe shkruan se qeveria nuk bën asnjë hap pas në luftën kundër informalitetit dhe evazionit fiskal, ndërsa do të bëjë kallëzim penal për kanosje ndaj inspektoreve të tatimeve.

“Gjykata private e evaziuonit fiskal, Havana, kërcënimet dhe zero milimetra pas! Një gjykatës, tek pullë një i tillë, në një gjyq pa lajmëruar e pa qenë palët, madje në “dhomë këshillimi”, ka hequr bllokimin mbi Havana në Dhërmi.

Gjykatësi as i kishte lajmëruar Tatimet. Gjykatësi ka “gjykuar” në gjykatën e Faktit Vlorë, edhe pse kjo gjykatë nuk ka kompetencë mbi çështjen; Çështja e “Havana” në Dhërmi është lënë e Gjykatës Administrative. Meëtej, një përmbarues ka hequr shiritat e bllokimit te Havana edhe pse nuk ka vënë në dijeni Tatimet deri në fund të orarit të tyre zyrtar. Pra, çdo gjë e mirëmenduar, rakorduar e kryer siç deshën;

E gjitha në kurriz të interesit publik, të ardhurave të buxhetit, dëmtuar rëndë nga mos dokumentimi i vijueshëm, i përsëritur i qarkullimit tek “Havana”. Këtë herë edhe në gjykatën private! Po, tani e kam shumë të qartë: Evazioni fiskal ka gjykatën e tij private, në drejtësinë e vjetër e të korruptuar! E gatshme të mbrojë interesa private e të vrasë përfundimisht interesin publik! Pas politikës, paralizuar nga vullneti politik për të luftuar drejt evazionin e mbrojtur edhe nga politika.

Drejtësia e Vjetër është e fundit që po i del zot evazionit! Natyrisht, kjo është betejë e do vijojë, pa lëshuar asnjë milimetër! Ndaj, tani po depozitohet apelimi i vendimit të djeshëm, tani po depozitohet kallëzimi penal për kanosje ndaj inspektorëve të tatimeve, tani po bëhet gati dosja e kësaj çështje e lidhur me gjykatën për në komisionin e Vettingut!”, shkruan Braçe në facebook dhe shton se lufta nuk mbaron këtu.

Qeveria ka nisur prej disa javësh luftën kundër informalitetit dhe deri tani janë bllokuar disa lokale e hotele të famshme, disa prej të cilave janë publikuar nga vetë kryeministri Rama në facebook, si sukses të aksionit qeveritar, i cili po përballet me vendimet kundër të gjykatave që vendosin për heqjen e bllokimeve.



Skip to toolbar