Pas vendimit për dënimin e dy personave, me kërkesë të SPAK Gjykata e Posaçme konfiskon 3.4 milion euro që u gjetën në makinat “Toyota Yaris” që u zbuluan në Portin e Durrësit.
Vetëm dy ditë më parë Gjykata e Tiranës ka dënuar me 1 vit e 6 muaj burg shtetasin Ervis Vladi, i cili ishte pjesë e çështjes së “Toyota Yaris” me 3.4 milionë euro, dhe pikërisht pronari i kësaj shume.
Vladi u dënua për veprën penale “mosdeklarim të ardhurash në kufi”. Duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, dënimi i tij ulet në 1 vit burg. Në të njëjtën dosje është dënuar me 2 vite e 4 muaj burg edhe Agim Ceka për “armëmbajtje pa leje”.
Mbrëmjen e 24 qershorit 2018, policia shqiptare sekuestroi rreth 3,4 milionë euro të fshehur në dy makina tip “Toyota Yaris” në portin e Durrësit.
Makinat u gjetën në një karoatrec në tragetin që vinte nga Bari në Durrës. Së bashku me dy makinat me para, në trailerin që i përkiste një kompanie shqiptare transporti, kishte dhe 8 makina të tjera. Itinerari i makinave ka qenë Belgjikë-Gjermani-Itali-Shqipëri.