Me kërkesë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi më datë 9 gusht 2019, Kuvendi ka rihapur garën për plotësimin e vakancës në Gjykatën Kushtetuese. KED i kërkoi zyrtarisht Kuvendit dhe Presidentit shpalljen e vendeve vakante për anëtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese, që u krijuan nga shkualifikimi nga gara i disa kandidatëve për shkak të vettingut, duke krijuar dy vakanca të lira në listat emërore të Presidentit dhe Kuvendit.
Të mërkurën më 21 gusht Kuvendi ka hapur zyrtarisht garën për aplikime të kandidatëve, të cilët dëshirojnë të jenë pjesë e Gjykatës Kushtetuese që prite të ngrihet në shtator. Gara do të jetë e hapur deri më 15 shtator dhe më pas lista me dokumentacionin përkatës për secilin kandidat do t’i përcillet Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Kuvendi ka paraqitur të gjitha kriteret që duhet të plotësohen nga gjyqtarët që duan të bëhen pjesë e garës për të plotësuar një vend vakant të krijuar pas largimit nga venttingu të gjyqtarit Fatos Lulo. (Lexo këtu kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët).
Aktualisht Gjykata Kushtetuese është vetëm me një anëtar, Vitore Tusha, dhe sipas ligjit duhet të pakën 5 anëtarë që kjo gjykatë të jetë funksionale dhe të fillojë me shqyrtimin e çështjeve në themel. KED ka bërë gati listën me 6 kandidatë që do të plotësojnë 4 vendet vakante, ku dy do të zgjidhen nga Presidenti dhe dy nga Kuvendi. Aktualisht në listë janë 6 emrat e miratuara nga KED pas intervistës që ka bërë me ta, konkretisht Arta Vorpsi, Besnik Muçi, Elsa Toska, Fiona Papajorgji, Marsida Xhaferrllari dhe Regleta Panajoti.
Gjykata Kushtetuese pritet em interes të madh jo vetëm nga politika por edhe qytetarët, pasi një nga çështjet e rëndësishme që pritet të shqyrtojë të parën është kërkesa e qeverisë për shkarkimin e presidentit Meta.