Gjykata Kushtetuese do të ngrihet për punë ditësh. Të paktën kështu njofton vetë ky institucion i cili aktualisht ka 6 vende vakante, ndërsa lista e kandidatëve që kanë aplikuar është pothuajse gati dhe më pas do të kalojë për përzgjedhje dhe votim në Kuvend.
Funksioni i gjykatës më të rëndësishme në vend merr një rëndësi të veçantë në kushtet aktuale ku maxhoranca ka nisur procedurat për shkarkimin e Presidentit, pasi pretendon se ai ka shkelur kushtetutën për nxjerrjen e një dekreti të ri për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. E ndërsa maxhoranca pritet të miratojë kërkesën e saj për shkarkimin e Metës në seancë parlamentare, ky vendim në bazë të kushtetues duhet të marrë vulën e prerë të gjykatës kushtetuese, që të certifikohet dhe të hyjë në fuqi.
Lajmi i mirë është se brenda disa ditëve, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të përfundojë verifikimin e kushteve ligjore të kandidatëve, për të vijuar më pas me vlerësimin e kritereve profesionale dhe morale, si dhe renditjen përfundimtare të tyre.
Në përgjigje të interesimit të Shqiptarja.com, Gjykata Kushtetuese, pranë se cilës është vendosur Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, thotë se shumë shpejt lisat me renditjen e kandidaturave për 6 vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese do t’i dërgohet Kuvendit dhe Presidentit.
“Ka përfunduar i gjithë kuadri normativ i domosdoshëm për funksionimin dhe mbarëvajtjen e organit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Në ditët në vijim do të përfundojë edhe miratimi i metodologjisë mbi bazën e së cilës Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të bëjë vlerësimin profesional/moral/organizativ të kandidatëve, pikëzimin dhe renditjen e tyre përfundimtare. Ka përfunduar i gjithë procesi paraprak përgatitor në lidhje me mbledhjen e informacionit dhe verifikimin e dokumentacionit të paraqitur nga kandidatët që kanë shprehur interesin për vendet vakante të shpallura nga organet e emërtesës, Presidenti i Republikës dhe Kuvendi i Shqipërisë. Brenda disa ditëve pritet të përfundojë edhe faza e verifikimit të pushteteve ligjore të secilit prej kandidatëve”.
Lajmi i keq është vetëm për Ilir Metën. Vendosmëria e shumicës për të përfunduar procesin e shkarkimit të tij para 30 qershorit (pra javës tjetër), do të thotë se Kushtetuesja e re, nga gjërat e para që do shqyrtojë, do jetë pikërisht akti final i procesit të shkarkimit të tij.