Gjykata Kushtetuese pezullon dekretin e Thaçit për qeverinë, Presidenti: Do respektoj vendimin

KOSOVA


Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka vendosur në favor të kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për të pezulluar zbatimin e dekretit të presidentit Hashim Thaçi deri më 29 maj, derisa të shqyrtojë lëndën e dërguar nga kjo parti, lidhur me kushtetutshmërinë e vendimit të presidentit.

“Gjykatën Kushtetuese me shumicë votash, vendosi: Të miratojë masën e përkohshme në kohëzgjatje deri më 29 maj 2020, nga data e nxjerrjes së këtij vendimi si dhe të pezullojë menjëherë zbatimin e dekretit të presidentit të Republikës së Kosovës , nr. 24/2020, të datës 30 prill 2020, në kohëzgjatje të përcaktuar në pikën një të këtij diapozitivi”, është thënë në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se do ta respektojë vendimin e së premtes të Gjykatës Kushtetuese.

“Kosova ka tashmë një përvojë të çmueshme në respektimin e të gjitha vendimeve dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo përvojë është një dëshmi e fuqishme e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”, ka thënë Thaçi përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.

Ai po ashtu u ka bërë thirrje të gjitha politikanëve dhe subjekteve politike që të sillen me maturi në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Qeveria në detyrë e Kosovës ka thënë se vlerëson vendimin e Gjykatës, meqë konsideron se ajo është në të mirë të interesit publik dhe i shërben administrimit të drejtësisë.

“Megjithatë është e nevojshme të kujtojmë që ky pezullim nuk e prejudikon vendimin përfundimtar të Gjykatës. Kështu që është tejet e rëndësishme që të mos entuziazmohemi, të rrimë të fokusuar në drejtim të qëllimit tonë për menaxhimin sa më të mirë të situatës me pandeminë COVID-19” është thënë në një komunikatë për media të Qeverisë në detyrë.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se vlerëson lartë trajtimin që i ka bërë Gjykata Kushtetuese kësaj lënde, pasi sipas saj në këtë mënyrë “vendosja e masës do të parandalojë shkaktimin e një dëmi të pariparueshëm në kuptim të funksionimit kushtetues dhe ligjor të institucioneve më të larta kushtetuese në vend.”

Osmani ka thënë se në disa komente që i ka dërguar Gjykatës Kushtetuese ka argumentuar se “vendosja e masës së përkohshme mbi ekzekutimin ose ndërmarrjen e veprimeve që rrjedhin nga dekreti është po ashtu e domosdoshme për shkak se vetëm në këtë mënyrë do të garantohet që Kuvendi i Kosovës, si institucioni më i lartë në sistemin tonë politik, nuk do të marrë vendime që mund të rezultojnë kundërkushtetuese, e që për pasojë do të dëmtonin rëndë besimin e publikut dhe vetë integritetin e këtij institucioni”.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se do ta respektojë në tërësi vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Megjithatë, kjo parti ka thënë se është e vendosur në përputhshmëri të plotë me normën kushtetuese, të krijojë qeverinë e re.

“LDK-ja, me anë të marrëveshjeve politike, ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme për formimin e Qeverisë së re”, është thënë në një komunikatë për media të kësaj partie.

Presidenti Thaçi më 30 prill ka njoftuar se ka dekretuar kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hotin, për postin e kryeministrit të Kosovës.

Menjëherë pas kësaj, Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Thaçit dhe duke kërkuar vendosjen e masës së përkohshme për pezullimin e zbatimit të dekretit. (REL)




Skip to toolbar