Gjykata lë në burg rusin e ISIS, si tentoi të arratisej nga qendra e azilantëve

AKTUALITET


Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për rusin, Rasul Mislaev, 34 vjeç, i cili deklarohet se ka qenë anëtar i ISIS dhe dyshohet për terrorizëm. 34 vjeçari ishte shpallur në kërkim nga Interpoli në Moskë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor në Nadterechni e akuzoi për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë terroriste”. Mislaev kishte hyrë në vendin tonë si emigrantë i paligjshëm. Pas hetimeve në Shqipëri, ai pritet të ekstradohet në Rusi.

Ndërsa arrestimi i tij u bë i mundur të premten nga Policia e Shtetit në Shqipëri në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese partnere. Në Qershor të vitit 2013 Rasul Mislaev, është larguar nga Rusia për në Siri, ku i është bashkuar një grupimi ilegal të armatosur, të ashtuquajturit “Shteti Islamik” (ISIS), duke qenë pjesëmarrës aktiv në luftime kundër forcave qeveritare në Siri.

Sipas të dhënave, 34-vjeçari Rasul Mislaev, ka hyrë në Shqipëri 4 muaj më parë nga pika kufitare e Kakavijës. Më herët, ai ka qëndruar në qendrën e azilit në Karrec, në qytetin e Korçës. Arrestimi i tij është bërë, pasi Interpol Rusia dërgoi të dhënat e sakta. Mislaev ka hyrë në Shqipëri bashkë me disa emigrantë të paligjshëm nga Lindja e Mesme. Ai ra në sy të autoriteteve shqiptare, pasi nuk kishte asnjë mjet identifikimi dhe u krijuan dyshimet se mund të ishte terrorist.

Mediat botërore i kanë dhënë jehonë lajmit të arrestimit. Reuters shkruan se bëhet fjalë për një terrorist të rrezikshëm. Gjatë kohës që ka qenë në Karec, Forcat Speciale dhe Krimet e Rënda kanë gjetur rrjetën dhe kangjellat e dritares së tij të prera. Nga kjo ditë, ai ruhej 24 orë, pasi kishte informacione se mund të rrëmbehej nga terroristët ose të vritej, për faktin se konsiderohej si person i rrezikshëm në luftën e ISIS-s.



Skip to toolbar