Gjykata “rrëzon” Kodin e ri Penal, liron Klevis Balliun

AKTUALITET


Gjykata e Tiranës ka rrëzuar kërkesën e prokurorisë për arrest me burg ndaj ish deputetit demokrat Klevis Balliu dhe 9 protestuesve të tjerë të cilët akuzohen për bllokimin e rrugës së Unazës së Madhe. Gjykata e Tiranës ka vendosur lirimin nga burgu të këtyre personave dhe i ka dënuar ata vetëm me detyrim paraqitje. Ky vendim i gjykatës rrëzon ndryshimet e miratuara së fundi nga parlamenti në Kodin Penal, të cilat parashikojnë dënim me burg deri në 3 vite për personat që bllokojnë rrugën dhe qarkullimin e automjeteve.

Vendimi i gjykatës është pritur me brohorima dhe me thirrje kundër Ramës nga banorët e shumtë të Unazës së Madhe të cilët ndodheshin përpara Gjykatës.

I pranishëm ishte edhe ish deputeti i PD-së Flamur Noka, i cili tha se protestat e banorëve të mbështetur edhe nga opozita do të vazhdojnë.

“Do të vazhdojë protesta. Është një protestë e ligjshme. Faktin që ata janë përpjekur ti akuzojnë për bllokim rruge është përgjegjësi e policisë, që duhet të kishte marrë masa. Koha mund të jetë e batakçinjëve, por e drejta është e qytetarëve”, tha Noka.

Prokuroria kërkoi masën e arrestit me burg për te gjithë personat e arrestuar. Prokurori Robert Kote dhe Denisa Hasko paraqitën si prova raport shërbimet e policisë dhe pamje filmike të mediave online.

Të arrestuarit u akuzuan për veprat penale “Organizimi, pjesëmarrja, grumbullimi dhe manifestime të paligjshme”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishje e rendit dhe qetësisë publike, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Policia tha se këta shtetas në rrugën “Teodor Keko” në zonën e Unazës së Re kanë organizuar e zhvilluar një tubim të paligjshëm dhe kanë penguar qarkullimin e mjeteve të transportit rrugor në të dyja drejtimet e rrugës, duke kundërshtuar dhe mos iu bindur thirrjeve të Policisë për të liruar rrugën.

Por gjykata vendosi masën detyrim paraqitje për personat e mëposhtëm:

Benard Nezha      26 vjeç

Kujtim Ylli             59 vjeç

Bajram Noka        60 vjeç

Agron Thaçi         38 vjeç

Ruzhdi Maqinaj   46 vjeç

Safet Maksuti      51 vjeç

Artan Muçmata   49 vjeç

Klevis Balliu         30 vjeç

Dritan Noku         25 vjeç

Andi Sharra         25 vjeç



Skip to toolbar