Gjykata Supreme e Kosovës e ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), kundër certifikimit të partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Lista Serbe, duke i hapur rrugën pjesëmarrjes së saj në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
“Kolegji i Gjykatës Supreme, në seancën e mbajtur me datë 30 dhjetor 2024, e ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e subjektit politik Vetëvendosje, të paraqitur kundër vendimit të Panelit për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP)”, tha për Radion Evropa e Lirë, Antigona Uka-Lutfiu, zëdhënëse e kësaj gjykate.
Më 27 dhjetor, partia në pushtet u ankua në Supreme ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për ta urdhëruar Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) ta certifikojë Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Përfaqësuesit e partisë në pushtet në KQZ kishin votuar kundër certifikimit të Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – në një mbledhje të mbajtur më 23 dhjetor.
Dy ditë më vonë PZAP-i e pranoi ankesën e Listës Serbe duke e rrëzuar vendimin e KQZ-së, si dhe e urdhëroi atë ta certifikojë Listën Serbe, duke thënë se kjo parti kishte dorëzuar dokumentacionin në përputhje me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe me rregullat e tjera të KQZ-së.
Përfaqësuesit e partisë në pushtet e kanë arsyetuar kundërshtimin e certifikimit të Listës Serbe duke thënë se kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe vazhdon ta quajë atë provincë autonome të Serbisë, “Kosova dhe Metohia”.
Vendimi i PZAP-it u mirëprit nga Lista Serbe, e cila e cilësoi vendimin e KQZ-së si përpjekje “për eliminimin e Listës Serbe” nga procesi zgjedhor.
E gjithë kjo, sipas këtij subjekti, u bë për të “favorizuar serbët e përshtatshëm me [kryeministrin e Kosovës, Albin] Kurti pasi çdo gjë është realizuar drejtpërdrejt nën urdhrin e tij dhe është motivuar politikisht”.
Njohësit e zhvillimeve politike kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se moscertifikimi i Listës Serbe nga KQZ-ja ishte pjesë e fushatës parazgjedhore.
Edhe Perëndimi kishte shprehur shqetësim dhe keqardhje për moscertifikimin e Listës Serbe pas vendimit të KQZ-së më 23 dhjetor.
Lista Serbe vendosi të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit pas një periudhe të bojkotimit të proceseve politike në Kosovë.
Më 2022, pjesëtarë të kësaj partie patën dhënë dorëheqje në mënyrë kolektive nga institucionet e Kosovës, si shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të autoriteteve të Kosovës për shtrirje të autoritetit në gjithë territorin e vendit.